Champions League

Celtic-AEK, skocezët para provës së parë të vështirë

Kampionët e Skocisë dhe Greqisë do të përballen në raundin e tretë të fazës kualifikuese të Champions League. Celtic ka luajtur katër ndeshje në këtë kompeticion dhe pasi ka eliminuar ekipin armen të Alashkert, ata janë përballur me norvegjezët e Rosenborg.

Pavarësisht se këta të fundit janë pjesëmarrës të rregullt në kompeticionet europiane, skocezët nuk patën shumë probleme për t’i kaluar. Gjithsesi, kjo do të jetë sfida më e fortë për bardhjeshilët. AEK ka befasuar të gjithë sezonin e kaluar, duke fituar titullin në Greqi dhe duke lënë mbrapa PAOK dhe Olympiacos.

Edhe pse luante në kategorinë e dytë vetëm pak sezone më parë, AEK ka arritur të kthehet në majën e futbollit grek. Kjo do të jetë ndeshja e tyre e parë zyrtare për këtë sezon, që mund të jetë edhe një disavantazh.

Por duhet thënë se skuadra e Marinos Ouzounidis ka festuar një fitore 3-2 në miqësoren e fundit të luajtur kundër Galatasaray. Vendasit kanë shënuar 3 gola në katër nga pesë ndeshjet e fundit zyrtare.

Më shumë nga Champions League