Connect with us

Futboll

Champions League, Pep Guardiola nuk ishte eliminuar kurrë përpara gjysmëfinaleve

Humbja ndaj Monaco-s në 1/8-at e Champions League-s shënon edhe herën e parë që trajneri Pep Guardiola eliminohet në këtë fazë të kompeticionit madhor. Një sezon shumë zhgënjyes për ish-trajnerin e Bayern Munich-ut që mbërriti verën e kaluar në Manchester me entuziazëm dhe objektiva madhorë. Por realiteti është i ashpër për spanjollin i cili e sheh skuadrën e tij të distancuar me 10 pikë nga Chelsea kryesues në kampionatin anglez, që do të thotë se lamtumira ndaj titullit të Premier League-s është thuajse e sigurtë. Ndërkohë të mërkurën mbrëma ish-trajneri i Barcelona-s përjetoi një tjetër zhgënjim të rëndë, po aq sa ç’është edhe pesha e Ligës së Kampioneve. Skuadra e tij u eliminua në 1/8-at e kompeticionit europian nga Monaco në shtëpinë e kësaj të fundit.

Në fakt, që nga fillimi i karrierës si trajner, Pep ka garuar në Champions tetë herë me skuadrat që ka drejtuar, katër herë me Barcelona-n, tri herë me Bayern Munich-un dhe një herë me Manchester City-n. Por me këtë të fundit dështoi të kualifikohej në çerekfinale. Me Barcelona-n, Pep ka ngritur trofeun madhor në dy sezonet e tij të para si trajner, ndërsa në dy të tjerat është eliminuar në gjysmëfinale. Në tre sezonet e fundit trajneri spanjoll në drejtimin e Bayern Munich-ut ka dalë jashtë Champions-it, në gjysmëfinale. Ndërkohë në vitin e tij të parë me Manchester City-n, gjysmëfinalist vitin e kaluar me Manuel Pellegrini-n, Guardiola ka marrë një goditje të fortë. Një goditje që rëndohet edhe më shumë nga fakti se ish-trajneri i katalanasve u morr nga drejtuesit e Citizens për t’i dhuruar këtyre të fundit për herë të parë në historinë e tyre trofeun e këtij kompeticioni.

Më shumë nga Futboll