Premier League

“Chelsea do të ketë probleme nëse Sarri nuk ndryshon”

Trajneri i Chelsea, Maurrizio Sarri, duhet të shfrytëzojë alternativat që ka në skuadër, në mënyrë që të shmangë lodhjen e lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit.Ky është mendimi i ekspertit të futbollit spanjoll, Guillem Balague.

Italiani zëvendësoi Antonio Conte-n gjatë verës dhe ka bërë një start të shkëlqyer në “Stamdorf Bridge”. Londinezët janë të pamposhtur deri më tani në këtë sezon dhe momentalisht ndodhen me pikë të barabarta me Manchester City dhe Liverpool në krye të Premier League. Sarri bëri afrime të mira gjatë verës, duke marrë Kepa Arrizabalaga dhe Jorginho, si edhe siguroi huazimin e yllit kroat Mateo Kovacic.

Ish-trajneri i Napoli-t po përpiqet të zbatojë filozofinë e tij tek Chelsea, një sistem loje me një presing të lartë në sulm, me të cilën ai u bë i njohur në Itali. Por Sarri luan me të njëjtët lojtarë në çdo ndeshje dhe Balague është i shqetësuar se kjo mund të ndikojë në lodhjen e lojtarëve.

“Ndikimi është i qartë tek të gjithë,” tha ai në një video të postuar në kanalin e tij në Youtube. “Kjo ka të bëjë me drejtimin, ka të bëjë më agresivitetin për të marrë topin, ka të bëjë me besimin, ka të bëjë me fitoret. Shqetësimi im është se ai po luan me të njëjtët lojtarë, por duhet të luajë edhe me të tjerët, sepse kjo lloj energjie do të fillojë të bjerë nëse ai vazhdon kështu.”

Pas ndeshjeve të kombëtareve, Chelsea do të ketë një sfidë të vështirë kundër Manchester United në kampionat.

Më shumë nga Premier League