Futboll

Chelsea kërkon mbrojtësin e AS Roma…

Chelsea kërkon mbrojtësin e AS Roma…

Chelsea ka nisur të punojë për blerjen e mbrojtësit të majtë të Romës, Emerson Palmieri, sipas asaj që bën të ditur “London Evening Standard”. Antonio Conte është i vendosur të marrë një tjetër mëngjarash në skuadër, për t’i dhënë mundësi pushimi Marcos Alonso, titullari në krahun e majtë. Duke qenë se Juventus pretendon plot 60 milionë euro për Alex Sandro, atëherë drejtuesit “blu” kanë nisur të marrin në konsideratë alternativa të tjera.

Numri 33 i Romës ka luajtur vetëm 16 minuta në këtë edicion të Serie A, ndryshe nga vjet që luajti 25 ndeshje dhe kishte mesataren më të lartë të vlerësimit te ekipit verdhekuq, notën 7.3

Alex Telles i Porto është një tjetër futbollist i preferuar nga Chelsea, por më parë ata do të presin përgjigjen e Romës për 20 milionë eurot që janë ofruar për Emerson. 23-vjeçari, i cili ka përfunduar edhe në “radarët” e Liverpool, sapo është rikthyer nga një dëmtim i rëndë që e ka mbajtur larg fushave që nga fundi i sezonit të kaluar. Emerson e ka humbur vendin e titullarit te Roma, i mbyllur nga Aleksandar Kolarov. Kjo i jep shpresë klubit të Chelsea…

Më shumë nga Futboll