Premier League

Chelsea pret WBA dhe kërkon një fitore për të dalë nga kriza

Një Chelsea në krizë do të presë në shtëpi West Bromwich-in e vendit të fundit mbrëmjen e së hënës. Humbja 3-0 të pësuar në fushën e Bournemouth, disfata 4-1 në transfertë kundër Watford në dy ndeshjet e fundit të kampionatit dhe me vetëm një fitore në pesë takimet e fundit do të thonë se londinezët nuk mund të gabojnë më. Skuadra e Antonio Conte, në fakt, ka përfunduar në vendin e pestë të renditjes, por një fitore kundër WBA-së do t’i kthente ata mes katër të parëve.

Ky do të jetë takimi i duhur për kampionët në fuqi të Anglisë që të kthehen te fitorja, duke parë se miqtë kanë një ecuri shumë të keqe në ndeshjet e këtij kampionati që kanë luajtur në transfertë. Ata kanë arritur të marrin vetëm një fitore në 13 takime dhe kanë shënuar vetëm shtatë gola në këto ndeshje. Për më tepër, fitorja e tyre e vetme ka ardhur në transfertën e parë të kampionatit, që do të thotë se ata nuk kanë fituar asnjë nga 12 sfidat e fundit që kanë luajtur larg shtëpisë.

Antonio Conte ka vendosur t’i japë lojtarëve dy ditë pushim, në mënyrë që të gjejnë përqendrimin e duhur: “Duhet ta ndalim këtë ecuri negative. Morali i ekipit nuk është shumë i lartë, por duhet të kemi besim te puna jonë dhe futbolli ynë”, ka thënë trajneri italian në prag të kësaj ndeshjes. Me përjashtim të humbjes befasuese në fushën e Bournemout, Chelsea i ka fituar të gjashtë ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në shtëpi kundër ekipeve që janë të pozicionuar në pjesën e poshtme të renditjes.

Ndërkohë, West Bromwich ka regjistruar pesë humbje dhe tre barazime në ndeshjet e luajtur kundër ekipeve të pozicionuara në gjashtë vendet e para të klasifikimit. Gjithsesi, ata kanë arritur të marrin barazime në ndeshjet e luajtura në fushën e Liverpool dhe Tottenham. Në dhjetë ndeshjet e fundit që këto dy skuadra kanë luajtur kundër njëra-tjetrës në “Stamford Bridge”, Chelsea ka marrë tetë fitore dhe dy barazime, duke mos pësuar gol në shtatë nga këto takime.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Premier League