• Chiellini dhe Bonucci bëjnë sherr për fanellën e Messit (video)

    Publikuar: 20 Apr 1:52

    Bonucci ka marrë një vërejtje të vogël nga Chiellini në minutat e fundit të ndeshjes Barcelona-Juventus, e luajtur mbrëmë në “Camp Nou” dhe që përfundoi pa gola, 0-0. Kjo ishte çerekfinalja e kthimit e Ligës së Kampioneve, që eliminoi katalanasit dhe kaloi në turin tjetër bardhezinjtë e Torinos. Në kohën kur turma në “Camp Nou” po brohoriste ekipin e vet, fare pak minuta para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Kuipers, Bonucci është i pari, që shkëmbeu disa fjalë me Messin.

    Aty afrohet Chiellini, që duket se qorton bashkëlojtarin e vet pse po bisedon me yllin argjentinas, ndërkohë që loja vazhdonte e ethshme. Sipas ESPN, në imazhe Bonucci do të jetë duke i kërkuar fanellën sulmuesit të Barcelonës, një gjest që nuk i ka pëlqyer Chiellinit, në të nxehtit e lojës. E vërteta është se fanellën e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” e mori Bonucci pas ndeshjes, duke e deklaruar këtë gjë si “dhuratën më të bukur për djalkin e tij”. Nga ana tjetër, Chiellini e ndërroi fanellën me Luis Suarez, duke lënë të kuptohet se kafshimi në “Botërorin 2014” është diçka krejtësisht e harruar mes tyre.


    Lexo postimet e tjera