Çiklizëm

Chris Froome mbron kreun në etapën e parafundit, hipotekon Xhiron e Italisë

Çiklisti britanik Chris Froome (skuadra SKY) ka ruajtur kreun e renditjes në përfundim të etapës së 20-të dhe të parafundit të edicionit nr.101 të Xhiros së Italisë, duke hipotekuar edhe fitimin e këtij turneu. Etapa e sotme, me disa malore të vështira dhe shumë rreziqe për çiklistët, u menaxhua mirë nga britaniku, që synon triumfin e parë në turneun italian të biçikletës. Etapa e 20-të u fitua nga çiklisti spanjoll Mikel Nieve, që mbërriti në finish pas 5h43’48”, pas një shkëputje në 40km e fundit. Ai garoi i vetëm, duke u shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit.

I dyti sot u rendit holandezi Robert Gesink, që mbërriti në finish 2’17” pas fituesit, ndërsa në të tretin u rendit austriaku Felix Grosschartner, me +2’42” nga spanjolli Nieve. Asnjë problem për Froome, që mbërriti në finish 6 minuta pas fituesit, por kishte nën kontroll të gjithë rivalët, përfshi edhe holandezin Tom Dumoulin, kampionin e vjetshëm. Ata mbërritën së bashku në finish, duke bërë që britaniku të mos humbasë asnjë sekondë.

Froome mban të veshur fanellën rozë të liderit dhe ruan avantazhin prej 46 sekondash ndaj Dumoulin, ndërkohë që etapa e nesërme është thjesht një formalitet, një parakalim në Milano, ku mbyllet edhe ku edicion i Xhiros. Në etapën e sotme, çiklisti shqiptar Eugert Zhupa u rendit në vendin e 85-të, duke garuar me grupin e madh të çiklistëve, që mbërritën në finish 45 minuta pas fituesit. Ndërsa në renditjen e përgjithshme, Zhupa klasifikohet i parafundit, në vendin e 150-të.

Më shumë nga Çiklizëm