Çiklizëm

Chris Froome nuk tërhiqet: Pas Turit, dua suksesin edhe në Vuelta

Britaniku Chris Froome, fitues një javë më parë i Turit të Francës në çiklizëm, për të 4-n herë në karrierën e tij, ka deklaruar sot se për të sezoni nuk ka përfunduar ende. Ai do të garojë në Vueltën e Spanjës, turneun e tretë të madh të biçikletës, duke synuar fitoren e këtij turneu. Froome, 32 vjeç, do të tentojë të realizojë një tjetër sukses të dyfishtë Tur-Vuelta, gjë që nuk ndodh prej vitit 1995, kur Vuelta e Spanjës u spostua nga prilli në shtator. “Unë e kam një shans dhe do ta shfrytëzoj atë. Vuelta është një turne që e pëlqej shumë. Në tri edicione jam renditur i dyti dhe tani kam nevojë që ta fitoj atë turne”, tha Froome.

Britaniku Chris Froome me fanellen e vedhe te liderit te Turit te Frances

Më tej, britaniku tha: “Të fitosh Turin e Francës dhe Vueltën e spanjës brenda një viti do të ishte diçka fantastike”, tha Froome, që nuk ka shumë kohë për të rikuperuar fizikisht, pasi Vuelta do të nisë më 19 gusht dhe përfundon më 10 shtator, me finish në Madrid (21 etapa). Një tjetër sforco 3-javore për çiklistin britanik të ekipit SKY, që do të tentojë të shkruajë historinë e këtij sporti. Por nuk ka për të qenë e lehtë për Froome, pasi në turneun iberik do të jenë në start edhe mjaft kampionë të tjerë, si Romain Bardet, Fabio Aru, Alberto Contador, Vincenzo Nibali etj. Në rast se ia del mbanë të fitojë, Froome do të bëhet britaniku i parë që fiton dy turne brenda një viti dhe i treti në histori që i fiton këto dy turne brenda një viti (Jacques Anquetil 1963 dhe Bernard Hinault 1978).

Më shumë nga Çiklizëm