Connect with us

Futboll

Cikalleshi: Kukësi i fortë, i uroj suksese në kampionat! (video)

Sokol Cikalleshi është përballur pasditen e së dielës me ish-skuadrën e tij, Kukësin. Në kuadër të ndeshjeve miqësore në periudhën pargatitore të janarit, skuadra e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Basaksehir, ka zhvilluar një takim me kampionët e dimrit të Shqipërisë, një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin këtë sezon. Ndeshja ka përfunduar me fitoren e vendasve 3-1, një rezultat i pranuar edhe nga Kukësi, pasi ekipi turk kryeson Superligën turke, duke sfiduar emra të njohur si Fenerbahce, Beshiktash dhe Gallatasaraj.

Ajo që ka rënë në sy ka qenë takimi i përzemërt i Cikalleshit me Kukësin dhe jo thjesht nga fakti që ka përshëndetur të njohur apo se ishte ekip nga Shqipëria. Kujtojmë që sulmuesi kavajas ka qenë pjesë e Kukësit para 3 vitesh dhe madje ishte pikërisht skuadra verilindore ajo që e shiti te RNK Split. Dhe pikërisht kur luante me Kukësin, Cikalleshi u grumbullua për herë të parë në Kombëtare dhe që atëherë ka qenë pjesë e pandarë e kuqezinjve, duke u bërë protagonist, në fillim me shtyllat e tij, e më pas duke gjetur edhe rrugën e rrjetës, pavarësisht se në Europian nuk ishte në formën e tij më të mirë.

https://www.youtube.com/watch?v=7O338QO7TTo

Për të përshëndetur ish-ekipin e tij, Sokol Cikalleshi ka shkruar një status një profilin e tij zyrtar në Facebook, i bindur në forcën e Kukësit. “Ishte kënaqësi e veçantë që të luaja ndaj ish-skuadrës sime, Kukësit, në një ndeshje miqësore në Antalya. I uroj Kukësit suksese në kampionat, ka një ekip shumë të fortë” – shkruan Cikalleshi, i cili në kampionati turk nuk po gjen shumë hapësira, ndërsa në Kupën e Turqisë ka shënuar 4 gola, duke qenë protagonist ashtu si në sezonin e kaluar.

Më shumë nga Futboll