Connect with us

Futboll

Çinari konfirmon bisedimet me një ekip kroat, pritet konkretizimi

Ditët e fundit po bëhet jo pak zhurmë në lidhje me largimet e mundshme të disa prej futbollistëve të rinj të talentuar të Vllaznisë, megjithatë për momentin duket se nuk ka asgjë konkrete. Edhe në lidhje me futbollistin Erald Çinari është e njëjta situatë. Në një prononcim për mediat ai ka folur edhe për bisedimet me një ekip kroat, por sipas tij, akoma asgjë nuk ka përfunduar. Normalisht që për një klub tjetër të Superligës tonë, edhe drejtuesit e Vllaznisë nuk do ta lejonin të largohej, por nëse bëhet fjalë për një largim jashtë vendit, edhe mund të bisedohet. Klauzolat janë të qarta dhe natyrisht që ky futbollist, por edhe të tjerë të rinj të talentuar, nuk mund të largohen krejt kollaj. Gjithsesi është kohë merkatoje dhe menaxherët kuptohet që janë në lëvizje dhe mund të ndodhë gjithçka.

“Mund t’u them se ka një interes të një ekipi të ligës së parë kroate për mua dhe jemi ende në fazën e bisedimeve. Natyrisht që duhet të mbesin të dyja palët e kënaqura për të realizuar këtë transferim dhe për momentin nuk mund të them me siguri nëse do të ketë një kalim timin atje apo jo. Pavarësisht kësaj, unë jam në pritje të rifillimit të stërvitjes me Vllazninë, ekipin që më bëri të njohur dhe më ka dhënë gjithçka dhe natyrisht që atë nuk do ta ndërroj me asnjë ekip tjetër në Shqipëri”, deklaroi vetë Çinari.

Më shumë nga Futboll