Futboll

City arrin rekordin e fitoreve, Lukaku “shpëton” United, “ngec” Liverpool…

City arrin rekordin e fitoreve, Lukaku “shpëton” United, “ngec” Liverpool…

Manchester City ka arritur fitoren e 15-të radhazi në Premier League, duke vënë një rekord të ri në Angli, pasi më parë kishte qenë Arsenal që kishte arritur 14 fitore të njëpasnjëshme. Suksesi ndaj Swansea pati si protagonist spanjollin David Silva, i cili shënoi golin e parë dhe të tretë në fitoren 4-0, që e konsolidon skuadrën e Pep Guardiola, në vendin e parë, me 11 pikë më shumë se Manchester United. Pati lavdi edhe për Kevin de Bryune, autor i golit të dytë, si dhe për Sergio Aguero, që realizoi golin e katërt për “qytetarët”.

Ndërkohë, goli i shënuar nga Romelu Lukaku, në mesin e pjesës së parë, i ka dhënë Manchester United fitoren e ngushtë 1-0 ndaj Bournemouth, që i konsolidon “djajtë” në vendin e dytë të Premier League. Në një ndeshje që u luajt në një shi të rrëmbyeshëm, të besuarit e Mourinho mund të kënaqen vetëm me rezultatin e jo me lojën. Nga ana tjetër, Liverpool “ngec” në shtëpi kundër West Brom. Në barazimin 0-0 në “Anfield Road”, “të kuqtë” koleksionuan një “mal” me raste për shënim, por pa gjetur golin e fitores.

Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, me golin e shënuar nga Wayne Rooney, Everton fitoi 1-0 në fushën e Newcastle, që pësoi humbjen e tretë radhazi dhe i afrohet zonës së ftohtë. Leicester shkatërroi Southempton, teksa fitoi 4-1 në transfertë. Tottenham mposhti 2-0 Brighton në “Wembley” me golat e mbrojtësit francez Serge Aurier dhe mesfushori korean Son. Spursat ngjiten në vendin e katërt me pikë të barabarta me Liverpool dhe Burnley, një më shumë se Arsenal, që ka zbritur në vendin e shtatë pasi nuk shkoi përtej barazimit pa gola në derbin kundër West Ham.

Standings provided by Sofascore LiveScore


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll