Champions League

City bën “shëtitje” në Zvicër, mposht me “poker” Basel-in

FC Basel është dukur i pashpresë teksa Manchester City i ka shkatërruar me rezultatin 4-0 në St. Jakob-Park duke mos i lënë asgjë fatit për ndeshjen e kthimit. Skuadra e Pep Guardiola-s është 99% në çerekfinale me rezultatin e sotëm, me një Basel që asnjëherë nuk e vuri në vështirësi kundërshtarin megjithëse luante në fushën e tij.

City-t i duheshin vetëm 14’ minuta për të kaluar në avantazh me golin e Ilkay Gundogan, dhe që nga ai moment kishte vetëm një ekip në fushë. Skuadra e Guardiola-s sundoi në Zvicër dhe shënoi edhe dy gola të tjerë brenda 10 minutave. Në fillim ishte Bernardo Silva dhe më pas Sergio Aguero me një goditje fantastike në hyrje të zonës.

Pas pushimit Guardiola vendosi të pushonte yjet e ekipit, teksa me kalimin e minutave ai nxori nga loja Sterling, De Bruyne dhe në fund fare Aguero. Por jo përpara se Gundogan të kompletonte dipietën e tij në minutën e 53’ duke mbyllur përfundimisht ndeshjen. Ajo e kthimit do të jetë një shëtitje në Etihad, dhe me siguri pritet që trajneri spanjoll të lë pushim disa prej yjeve të tij në pritje të kundërshtarit të radhës në çerekfinalen e Champions League.

Më shumë nga Champions League