Premier League

City, Fernandinho barazon rekordin e rrallë të Balotelli-t

Manchester City ka rrezikuar ta nisë 2017-ën në mënyrën më të keqe të mundshme. Skuadra e Guardiola-s ka mbetur me një lojtar më pak vetëm gjysmë ore pas fillimit të ndeshjes së javës së 20-të të Premier League, të luajtur kundër Burnely, për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Fernandinho. Braziliani është ndëshkuar me karton të kuq direkt nga arbitri i ndeshjes pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Gudmundsson. Lee Mason nuk ka pasur asnjë dyshim, duke e dërguar menjëherë lojtarin në dhomat e zhveshjes, teksa Fernandinho është befasuar kur ka parë ngjyrën e kartonit.

 

 

Fatmirësisht për “Citizens”, ndeshja është fituar falë golave të Clichy dhe Aguero, që i kanë dhuruar tri pikët dhe vendin e tretë të përkohshëm City-it. Fernandinho nuk po kalon një sezon shumë pozitiv, me lojtarin që është kthyer në dispozicion të Guardiola-s në ndeshjen e javës së 19-të kundër Liverpool, për shkak se ka qenë i skualifikuar pas kartonit të kuq të marrë kundër Chelsea-it. Ditën e sotme ka ardhur kartoni i dytë i kuq që duhet t’i kushtojë, sipas rregullores, një ndalesë prej tri ndeshjesh. Lajme të këqija për lojtarin amerikanojugor, i cili ka barazuar rekordin negativ të një ish-lojtari të “Citizens”. Bëhet fjalë për Mario Balotelli-n.

Siç tregohet nga të dhënat Opta, në fakt, Fernandinho është futbollisti i parë pas Balotelli-t në sezonin 2011-12, që koleksionon dy kartonë të kuq në të njëjtin sezon të Premier League. Një rendiment akoma më negativ, nëse merret parasysh kartoni tjetër i kuq, i marrë në Champions League, në ndeshjen që City ka luajtur kundër Borussia Monchengladbach.

 

Më shumë nga Premier League