• City ka një lojtar i cili sheh gjithçka, e zbulon Sane

    Publikuar: 5 Jan 2:06

    Leroy Sane verën e shkuar mori vendimin e jetës, duke u transferuar nga Schalke 04 te Manchester City. Fillimisht mesfushori vuajti të shfaqë gjithë “arsenalin” e tij në fushë, por me kalimin e javëve e rigjeti vetveten. Një nga arsyet e përshtatjes së tij rezulton të ketë qenë prania e shumë lojtarëve të mirë, të cilët Sane i merr si shembuj dhe mëson prej tyre. “I përzgjedhuri” i këmbëshpejtit është David Silva, të cilin së fundmi e ka lavdëruar tejmase për vizionin dhe leximin e lojës. Sipas tij, lojtarë si spanjolli janë të rrallë.

    “Këtu, cilësia është e pabesueshme. Të gjithë lojtarët te City janë lojtarë të famshëm, të cilët luajnë për kombëtaret e tyre. Kështu, cilësia teknike këtu është e lartë”, – tha gjermani në sajtin zyrtar të klubit. “David Silva më ka bërë shumë përshtypje. Kur e sheh se si luan, kupton se ai gjithmonë e di se çfarë duhet të bëjë më pas. Ai kurrë nuk futet brenda rrethit në ushtrimin e pasimeve në grup. Ai mund ta lexojë ndeshjen shumë mirë, sheh gjithçka. Ai mund të luajë futboll me një prekje topi ose me dy”, – argumentoi 20-vjeçari.

    Sane pati disa alternativa për të zgjedhur pas sezonit fantastik që kaloi me “Mbretërorët blu”, por ai vendosi duke marrë parasysh se në “Etihad Stadium” do të punonte me trajnerin Guardiola. “Ndihesh shumë-shumë mirë, kur merr vesh se të do Pep. U lumturova shumë. Vendosa shumë shpejt për transferimin. Ai foli me mua para se të firmosja dhe më tha se donte të më bënte një lojtar më të mirë, të më përmirësonte në aspektet ku nuk jam i mirë. Ja pse zgjodha të luaj te Manchester City”, – përfundoi anësori.


    Lexo postimet e tjera