Premier League

City turpëron Liverpool pas të kuqit të Mane, Aguero shkruan historinë e Premier League

Manchester City ka marrë një fitore tepër të rëndësishme ndaj një rivali direkt si Liverpool. Të besuarit e Pep Guardiola-s nuk e kishin të vështirë të mposhtnin Të Kuqtë, sidomos pas kartonit të kuq të Sadio Mane në fundin e pjesës së parë. Qytetarët arritën të shënonin plot 5 gola në portën e Mingolet.

Ndeshja filloi me ritëm të lartë nga ana e Liverpool, që sulmonte më tepër se City duke rrezikuar në disa momente portën e Ederson. Por goli vjen në portën tjetër. Pas një gabimi të Henderson, topi shkon në këmbët e De Bruyne i cili kap të papërgatitur mbrojtjen e Liverpool me pasimin e tij perfekt te Aguero që pasi driblon portierin shtyn topin në portën e boshatisur.

Ky ishte goli i 124 i argjentinasit në Premier League, ai bëhet lojtari i huaj që ka shënuar më tepër gola në kampionatin anglez duke kaluar Yorke që ka luajtur tek United. Për t’u ardhur keq Liverpool, që nuk arriti të kapitalizonte nga rastet e krijuara me Salah dhe Firmino.

Por më e keqja nuk kishte ardhur akoma. Pas një topi të diskutueshëm Mane godet me takë në fytyrë portierin e Qytetarëve. Për arbitrin nuk ka dyshime: karton i kuq. Pak pas kartonit Të Kuqtë pësojnë edhe golin e dytë të shënuar nga Gabriel Jesus.

Në pjesën e dytë Liverpool nuk kishte mundësi të kundërpërgjigjej, dhe loja dominohet plotësisht nga vendasit, të cilët e kanë shumë të lehtë të dominojnë ndeshjen me një lojtar më shumë në fushë. Jesus arrin të gjejë golin e dytë personal dhe zëvendësohet më pas nga Mane, i cili edhe ai arrin të gjejë rrugën e rrjetës në fund të takimit plot dy herë, me golin e dytë që ishte me të vërtetë spektakolare.

Standings provided by Sofascore LiveScore

 

Më shumë nga Premier League