Premier League

Çlirimi i Salah: Kjo është hakmarrja ime!

Revanshi është kompletuar tashmë. Mohammed Salah është në garë për të fituar titullin e golashënuesit më të mirë të kampionatit anglez, diçka që nuk mund të imagjinohej nga ata që e kanë parë kur luante për Chelsea-in. Eksperienca londineze ka qenë një dështim i vërtetë: 19 ndeshje dhe dy gola në një sezon e gjysmë, më pas kanë ardhur Fiorentina, Roma dhe Liverpool. Dhe, në Premier, është që tani në kuotën e 30 golave në këtë sezon, 4 më shumë se Kane dhe me sytë e drejtuar nga “Këpuca e Artë”.

“Shokët e skuadrës kërkojnë të më ndihmojnë që të shënoj sepse e dinë se jam në garë për Këpucën e Artë, – ka thënë Salah. – Është një çmim individual, por edhe një mënyrë për të bërë pikë. Luajmë shumë mirë, tifozët janë të lumtur dhe kjo më bën të ndihem mirë. Mungojnë katër ndeshje nga fundi, do të provoj të fitoj diçka”.

“Dua të shënoj edhe për skuadrën, nuk mendoj vetëm për veten. Jap asite, krijoj raste, edhe pse luaj si sulmues krahu, jo si qendërsulmues dhe besoj se duket ajo që bëj. Dua të thyej rekordin e golave në Premier League, më mungon edhe një”, ka thënë egjiptiani. Gjithsesi, ai e ka fituar sfidën e tij personale, qëkur i ka thënë po ofertës së “Të Kuqve”. “E dija që nga dita e parë se doja të bëja diçka ndryshe, të veçantë. Te Chelsea nuk e kam shfrytëzuar shansin tim, por jam kthyer në Premier sepse doja t’i tregoja të gjithë vlerën time”.

Salah ka kujtuar se “te Chelsea nuk luaja shumë, nuk kam pasur shumë mundësi, por kur i kam pasur i kam treguar disa personave se e kishin gabim. Isha i vendosur të kisha sukses këtu, për këtë arsye, kur u largova nga Premier, i premtova vetes së do të kthehesha dhe, kur më është dhënë rasti, e kam bërë. Mund të shihet ndryshimi mes lojtarit që jam tani dhe atij që isha dy ditë më parë. Çdo vit, çdo ditë, çdo muaj e vë veten në provë, kërkoj të korrigjoj defektet e mia dhe të jem një njeri më i mirë”.

Më shumë nga Premier League