• Çmim të ulët për biletat, Vllaznia apel tifozëve për mbështetje

    Publikuar: 14 Apr 9:37

    Ashtu si në ndeshjen e e fundit në Shkodër, atë ndaj Teutës, edhe këtë takim të radhës që kuqeblutë do të luajnë ndaj Partizanit, drejtuesit e Klubit të Futbollit Vllaznia kanë vendosur që të aplikojnë çmime të lira biletash për tifozët që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje në mbështetje të skuadrës së zemrës. Konkretisht, në të gjitha tribunat C dhe D, një biletë do të kushtojë vetëm 2 mijë lekë të vjetra. Natyrisht që ky çmim është shumë i favorshëm dhe nuk mund të përbëjë më pengesë që një numër i madh tifozësh të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” pasditen e së dielës.

    Drejtuesit e klubit shkodran u kanë bërë thirrje tifozëve të tyre, që të jenë të pranishëm në stadium këtë ndeshje në mënyrë që të përkrahim fuqishëm Vllazninë për arritjen e një tjetër rezultati pozitiv, çka do të thotë edhe më shumë shanse për zënien e vendit të katërt në renditje. Interesimi duhet pranuar se është më i madh se herët e tjera dhe për këtë arsye, klubi Vllaznia ka bërë të ditur se sportelet e biletarisë do të jenë të hapura edhe gjatë gjithë ditës së shtunë, në mënyrë që të gjithë ata që duan të jenë në stadium, të mund t’i sigurojnë biletat duke nisur që të shtunën. Kjo për të shmangur konfuzionin për hyrjen në stadium para ndeshjes. Sfida është shumë interesante dhe për këtë arsye pritet të ketë shumë tifozë, madje edhe të Partizanit dhe dekori në “Loro Boriçi” pritet të jetë më i bukuri i këtij sezoni.

    Gjergj Kola


    Lexo postimet e tjera