Bundesliga

Coman në udhëkryq, Juventus “ia hedh” Bayern-it?

Jo vetëm veteranë. Bayern në verë mund të humbasë edhe një nga lojtarët më premtues që ka në skuadër, Kingsley Coman. I huazuar për dy sezone në verën e vitit 2015 nga Juventus, mesfushori aktualisht nuk po kalon ditë të mira në Mynih. Bavarezët fillimisht kanë paguar 6 milionë euro për huazimin dhe kanë të drejtë që ta blejnë përfundimisht deri më datë 30 prill duke paguar edhe 21 milionë euro të tjera. Megjithatë, fakti që 20-vjeçari po luan shumë pak mund të ndryshojë gjithçka.

Edhe pse drejtuesit e klubit janë shprehur se janë gati ta blejnë francezin, ky i fundit ka të drejtën e vetos për të vendosur për të ardhmen e tij, shkruan gazeta gjermane “TZ”. Siç ka raportuar francezja “Telefoot”, Manchester City dhe Chelsea kanë interes për lojtarin dhe pritet të ofrojnë 50-60 milionë euro për të. Kjo diferencë kaq e madhe me shumën që duhet të paguajë Bayern natyrisht që duhet ta ketë bërë “Zonjën e vjetër” të mendohet mirë. E drejtë, janë në mes shumë para!

https://www.youtube.com/watch?v=hER9OjuApPQ

Kështu, Juventus duket se po i ushtron presion Coman-it, që t’i thotë “jo” qëndrimit te Bayern. Kjo, me synimin që lojtari i kombëtares franceze të shitet më shtrenjtë në Premier League, aty ku e presin ish-juventini Antonio Conte (Chelsea) dhe ish-trajneri i tij, me të cilin vjet kaloi një sezon shumë herë më të mirë se ky aktual, Pep Guardiola (M. City). Pra, në Torino mund të jenë duke thurur planin ideal, që t’ia “hedhin” Bayern-it, klub që deri tani është treguar arrogant me anësorin.

Më shumë nga Bundesliga