Çiklizëm

Contador fiton etapën e 20-të, Froome reziston dhe hipotekon Vueltën

Çiklisti spanjoll Alberto Contador fitoi sot etapën e 20-të dhe të parafundit të Vueltës së Spanjës, Asturias-Angliru, 118km e gjatë, etapa më e vështirë e këtij turneu, me 4 malore të shkallës së parë. Madje edhe kilometrat e fundit ishin një malore e fortë, që vuri çiklistët në një provë të vështirë, aty ku triumfoi veterani Contador, që mbërriti në finish pas 3h31’33”. Në vendin e dytë dhe të tretë, më 17 sekonda vonesë, u klasifikuan respektivisht holandezi Wout Poels dhe britaniku Chris Froome.

Por kjo etapë praktikisht vulosi edhe fatin e këtij turneu, me britanikun Chris Froome që ruajti kreun e renditjes dhe mban të veshur fanellën e kuqe të liderit. Froome i rezistoi sulmeve të italianit Vincenzo Nibali, madje në fund britaniku fitoi edhe më shumë terren karshi rivalit, duke e çuar në 2’15” avantazhin në klasifikimin e përgjithshëm. Kjo ishte etapa e parafundit e Vueltës, që praktikisht mbylli garën për titull, pasi etapa e nesërme është një formalitet, me çiklistët që do të parakalojnë në Madrid.

Më shumë nga Çiklizëm