UFC

Cormier mbron titullin ndaj Lewis në UFC-230, rikthehet Shevchenko vs. Jedrzejczyk, anullohet sfida e Diaz

UFC ka ndryshuar sërish planet dhe duelet për eventet e ardhshme që do të zhvillojë këtë vit. Kampioni i botës në peshën e rëndë Daniel Cormier do të mbrojë titullin e këtij Divizioni ndaj Derrick Lewis në eventin UFC-230, që zhvillohet më 3 nëntor në “Madision Square Garden” të Nju Jorkut. Kjo përballje do të jetë sfida kryesore e këtij eventi, zgjedhur nga presidenti Dana White me shpresën që të rritë shitjet me pagesë PPV (pay per view, paguaj për ta parë).

Përveç kësaj, UFC-ja ka bërë një hap pas, duke anulluar sfidën mes Valentina Shevchenko dhe Sijara Eubank për titullin e peshës “flyweight”, që ishte programuar si sfida kryesore e UFC-230, duke rikthyer eventin që kishte parashikuar dy muaj më parë, atë mes Shevchenko dhe Joanna Jedrzejczyk (po për peshën flyweight). Por kjo sfidë do të zhvillohet më 8 dhjetor, në eventin UFC-231, që zhvillohet në Toronto të Kanadasë.

Ndryshimi i tretë i UFC-së është anullimi i duelit mes Nate Diaz dhe Dustin Poirier, pasi ky i fundit është dëmtuar dhe nuk mund të duelojë në eventin UFC-230, ashtu siç dhe ishte parashikuar. Nuk dihet nëse do të gjendet një rival tjetër për Nate Diaz (rikthehet në kafaz pas dy vitesh) apo do të lihet pushim deri në një event tjetër, në muajt në vazhdim.

Më shumë nga UFC