Premier League

Courtois dhe Morata gabojnë penalltitë, Arsenal fiton Superkupën

Arsenal ka fituar Superkupën e Anglisë pasi ka mundur Chelsea me penallti. “Topçinjtë kanë përsëritur suksesin e arritur në fundin e sezonit të kaluar, kur ka mundur “Blutë” në finalen e Kupës së Anglisë.

Takimi ka qenë i ekuilibruar dhe i hapur, me të dy ekipet që kanë krijuar raste të rrezikshme, por ka qenë Arsenal që ka shkuar më afër golit në minutën e 23-të, kur goditja e Alexandre Lacazette nga brenda zonës së rreptësisë është ndalur nga shtylla. Në minutën e 33-të, Wenger ka humbur Per Mertesacker, i cili ka pësuar një dëmtim “horror’ për shkak të një goditje të pavullnetshme me bërryl nga Gary Cahill. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ka filluar menjëherë me gol.

Gol që është realizuar nga skuadra e Antonio Conte-s, që ka kaluar në avantazh me Victor Moses. Në minutën e 75-të Thibaut Courtois i ka mohuar një gol të mrekullueshëm Granit Xhakës, i cili ka kërkuar portën me një goditje nga distanca e largët. Në minutën e 74-t ka ardhur edhe momenti i debutimit të Alvaro Morata me fanellën e Chelsea. Nëntë minuta para fundit “Blutë” kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas ndërhyrjes së ashpër nga mbrapa të bërë nga Pedro kundrejt Elneny, me arbitrin e takimit që nuk është menduar dy herë, por ka nxjerrë menjëherë kartonin e kuq.

Arsenal e ka shfrytëzuar superioritetin numerik menjëherë, duke barazuar ndeshjen me Kolasinac, mbrojtësi i blerë nga Schalke këtë verë. Barazimi nuk ka ndryshuar deri në fund dhe skuadrat i janë drejtuar penalltive, prej të cilave kanë dalë fitimtarë “Topçinjtë” falë gabimeve të portierit Courtois dhe Alvaro Morata.

Më shumë nga Premier League