UFC

Covington mund Dos Anjos dhe merr titullin e përkohshëm në peshën “welter”

Colby Covington ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve duelin me ish-kampionin e botës Rafael Dos Anjos, zhvilluar sot në eventin e UFC-225 (në Çikago), duke marrë edhe titullin e përkohshëm në peshën “welter” në artet marciale mikse. Të 3 gjyqtarët ia dhanë fitoren sportistit amerikan (49-46, 48-47 dhe 48-47), që mposhti me meritë rivalin brazilian, që pasi është shpallur kampion në peshën e lehtë disa vite më parë tentoi që këtë gjë ta bëjë edhe në peshën “ëelter”.

Duel mes dy sportistëve ishte mjaft i fortë, 5 raunde të mbushura me emocione dhe ritëm, por në fund triumfoi Covington, që mori një triumf të merituar me vendim unanim dhe tashmë ka shansin që të duelojë me kampionin e botës së kësaj peshe Tyron Woodley. Pothuajse të 5 raundet ishin në favor të Covington, që e nisi mirë sfidën që në raundin e parë dhe arriti ta kontrollojë rivalin brazilian, që ka më shumë përvojë në kafaz.

Për Covington ky është suksesi i 14-të në artet marciale mikse (ka vetëm një humbje), ndërsa për Dos Anjos kjo ishte humbja e 10-të në karrierë (ka edhe 28 fitore). Pas fitores së sfidës, kampioni amerikan u shpreh se titullin kampion do t’ia çojë presidentit të Amerikës, Donald Trump, ndërkohë që ftoi në duel kampionin e botës Woodley.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga UFC