Kampionatet në Europë

Ç’po paralajmëron Bale: Shpejt, një futbollist do të shitet 500 milionë euro…

Gareth Bale pranon në një intervistë të publikuar të mërkurën nga “Sport Bild” se do të donte të luante më shumë. Ambicioz, ai pohon se “të jem i sinqertë, gjithmonë dua më shumë, sigurisht. Dhe me këtë dua të them më tepër gola dhe lojëra”. Kështu deklaron lojtari uellsian i Real Madridit mes temave të tjera, për të cilat flet në bisedën e tij tabloidin e njohur gjerman.

Futbollisti i Uellsit, për të cilin Real Madridi ka paguar 101 milionë euro te Tottenhamin, çka ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, në vitin 2013, foli për çmimet, që aktualisht paguhen në treg. Bale nuk e përjashton që në të ardhmen, një klub mund të paguajë 500 milionë euro për një lojtar, një shifër që përputhet me klauzolën përkatëse.

“Mendoj se nuk e ka menduar kush dhjetë vite më parë që një lojtar do të kushtonte një ditë 222 milionë euro. Verën e kaluar kjo u bë realitet me kalimin e Neymar te PSG-ja. Unë jam i sigurt se çmimet e futbollistëve do të vazhdojnë të rriten në të ardhmen. Edhe 500 milionë euro do të paguhen.

Shikoni zhvillimet në vitet e fundit, ky është ligji i tregut, prandaj mendoj se shuma të kësaj madhësie do të paguhen”, – tha Bale për “Sport Bild”. Real Madridi përballet sërish, në një tjetër sezon, me Bayern Munich dhe në radarin e të bardhëve është Lewandowski. Sulmuesi polak është një nga objektivat, për të cilin Florentino perez ka luftuar edhe në sezonet e fundit.

“Lewandowski ka cilësi për Real Madridin. Ai është një nga sulmuesit më të mirë në botë, një garanci për golat e Bayern Munich dhe ekipit të tij kombëtar. E dimë se është një rrezik në ndeshjet kundër nesh. Lewansowski është një golashënues madhështor dhe për këtë arsye duhet t’i mbajmë sytë tek ai “, – shtoi anësori i “Los Blancos”.

Bale u pyet, gjithashtu, për një nënshkrim hipotetik të tij me gjigandët bavarezë. “Në futboll nuk mund të thuash “asnjëherë”. Për momentin jam në Madrid, dua të luaj sa më shumë dhe ta shijoj futbollin. Bayerni ka një ekip fantastik. Edhe në të kaluarën ka qenë gjithmonë një nga ekipet më të suksesshme në Europë. Të të përmendet emri në lidhje me këtë klub është nder për këdo, por për momentin jam një lojtar i Real Madridit”, – përfundoi uellsiani.

Më shumë nga Kampionatet në Europë