MMA

Cris Cyborg synon të mbrojë titullin ndaj Holly Holm, UFC aprovon

Cris “Cyborg” Justino ka bërë realitet ëndrrën e saj, duke u shpallur kampione e botës në peshën “pupël”, teksa në UFC-214 mundi me “KO” teknik në raundin e tretë Tonya Evinger. Kampionia e saposhpallur në artet marciale mikse ka bërë me dije se synon të mbrojë po këtë vit titullin, për të konfirmuar dominimin e saj në këtë sport. 32-vjeçarja ka bërë me dijë se rivalja që dëshiron të ketë përballë në mbrojtjen e parë të titullit është Holly Holm, që ishte e para që mundi Ronda Rousey, dy vite më parë. “Unë nuk e di se kush do të jetë rivalja ime, por unë preferoj të përballem me Holly Holm në kafaz”, ka qenë deklarata e lëshuar sot nga Cyborg.

Cris “Cyborg” Justino me titullin kampion te peshes “pupel”

Sportistja braziliane tregon edhe arsyen se përse kërkon Holm si rivale: “Unë mendoj se është një kampione e madhe dhe fansat duan të na shohin duke dueluar ndaj njëra-tjetrës. Megjithatë, unë do të jem gati ndaj cilado rivale që do të me caktojë UFC-ja. Unë do të nis stërvitjen, pasi dua të dueloj sa më shpejt. Besoj se do të dueloj sërish në dhjetor. Fitorja e titullit ishte fundi i një kapitulli të gjatë të karrierës time, tani dua të nis një kapitull tjetër”, u shpreh Cyborg. Edhe presidenti i UFC-së, Dana White, u shpreh dakord me këtë përballje Cyborg-Holm. “Jam dakord, madje edhe Holm ishte e interesuar për këtë sfidë. Më pëlqen si sfidë, besoj se mund të realizohet së shpejti”, tha Dana White.

Cirs Cyborg gjate duelit me Tonya Evinger

Më shumë nga MMA