Connect with us

Kampionati Shqiptar

Cungu: Dy afrikanët e Tiranës? Asnjëherë në planet e mia

Ditët e fundit në media kanë qarkulluar shumë emra si kandidatë të mundshëm për të veshur fanellën e Vllaznisë në sezonin e ri. Ndër të tjerë është shkruar edhe për dy sulmuesit afrikanë të Tiranës, Ifeani Ede dhe Moktar Cise, por në fakt, një lajm të tillë e ka hedhur poshtë vetë trajneri i kuqebluve, Armando Cungu. Në një përballje me gazetarët sportivë shkodranë në një studio televizive, i pyetur në lidhje me merkaton e ardhshme të skuadrës që ai do drejtojë sërish, ka thënë: “Lexoj dhe dëgjoj shumë të pavërteta. Mbi 70 për qind e emrave që qarkullojnë në media si kandidatë të mundshëm për të veshur fanellën e Vllaznisë nuk janë fare në planet e mia dhe as nuk i ka diskutuar kush për të ardhur në Shkodër. Shembulli më i mirë është lajmi se gjoja jemi të interesuar për dy sulmuesit afrikanë të Tiranës.

A mund të më thoni si mund t’i kërkoj këto dy sulmues, që të dy së bashku për një sezon të tërë kanë shënuar vetëm një gol me Tiranën?! Nëse do ta bëja, të gjithë shkodranët do të kishin të drejtën për të më quajtur budalla, ose një njeri që nuk merr vesh nga futbolli. Si këto dy futbollistë mund të jenë edhe të tjerë që po përmenden, por nuk ka shumë të vërteta në këtë mes. I vetmi emër i saktë që keni zbuluar deri tani është ai i Edon Hasanit. Një mesfushor që do ta doja në skuadër. E kam takuar, ia kam bërë të qartë se dëshiroj ta kem në planet e mia dhe vetëm kaq. Më pas, ka qenë radha e administratorit për ta takuar për anën financiare dhe mesa di unë i ka bërë një ofertë të mirë dhe tashmë është në dorën e lojtarit nëse do të vijë apo jo, sepse në fakt ka edhe oferta të tjera dhe po i studion ato”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar