Kampionati Shqiptar

Cungu: E respektojmë Teutën, por nuk më kënaq barazimi

Kukësi do ta luajë ndeshjen e javës së katërt të Superiores në Durrës. Nesër, në orën 18:45, Armando Cungu dhe të tijtë kanë rastin të dëshmojnë në “Niko Dovana” sa vlejnë, ndaj një kundërshtari të konsoliduar këtë sezon. Në konferencën për shtyp të ditës së sotme, duke pasur në krah edhe mesfushorin Besar Musolli, trajneri shkodran i nënkampionëve të vendit shprehu vlerësim për “Djemtë e Detit”, por aspak frikë, duke lënë të kuptohet se nuk e kënaq plotësisht as barazimi:

“Të luash ndaj Teutës, në fushën e saj, nuk është e lehtë, aq më tepër këtë sezon, kur skuadra durrsake është përforcuar ndjeshëm. Megjithatë, ne jemi Kukësi dhe kemi objektivat tanë madhorë. A më kënaq barazimi në Durrës? Në Çdo ndeshje hyjmë për të marrë maksimumin. E respektojmë kundërshtarin, por nuk e kemi frikë. Teuta ka ndryshuar për mirë, është e mirëorganizuar.

Lojtarët e mi duhet të kenë në mendje vetëm diçka: të respektojnë më shumë veten se kundërshtarin. Nuk përbën më sekret që Kukësi luan gjithmonë për fitore, sepse ka synimet e veta të qarta. A na penalizon dëmtimi i Rexhinaldos në këtë moment? Patjetër që po, sepse është sulmuesi ynë kryesor. Siç e ka treguar në këto tri javë kampionat, Rexhinaldo është shumë i rëndësishëm për Kukësin.

Sidoqoftë, në mentalitetin tim ekipi nuk përbëhet nga një individ. Unë iu jap më shumë rëndësi vlerave të grupit. Nesër mund të ketë lojtarë të rinj ë fushë dhe ata kanë mundësi të tregojnë vlerat. Që nga Europa, Kukësi ka ndryshuar edhe në sistemin e lojës. Kemi aplikuar 4-4-2, por edhe 4-4-3.

Situata e Shkodrës dhe Ethemit? Për Ethemin kam fjalë shumë pozitive. Ai jep shenja pozitive dhe unë i jap mundësinë të tregojë sa vlen. Në futboll është aftësia e lojtarit, nëse e mban vendin apo jo. Edhe Shkodra ka dhënë sinjale positive, por ka humbur shumë stërvitje. Dëmtimet? Shameti është shqetësim, nuk e di nëse do të luajë apo jo. Mungesat janë disfavor, por ne nuk dorëzohemi. Do të luajnë lojtarë të tjerë, që duhet të shfrytëzojnë mundësinë që iu jepet.

Tradita me Teutën? Nuk ka lidhje fare tradita, sepse ma keni bërë fiksim ju gazetarët që me Vlorën. Sot mund të fitosh e nesër humbet në futboll. Teuta ka pika të forta dhe të dobëta. Ua kam treguar lojtarëve të mi se cilat janë pikat e dobta të skuadrës durrsake dhe do të mundohemi t’i godasim”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar