• Cungu: Një blerje cilësore me rrogat e Hoxhës dhe Weitzer

    Publikuar: 4 Jan 3:28

    Skuadra e Vllaznisë ende nuk e ka të qartë nëse do të ketë ndonjë lojtar si përforcim në merkaton e janarit apo jo. Kjo ngaqë mundësitë financiare janë të limituara, por, gjithsesi, trajneri Armando Cungu mendon se diçka mund të bëhet për ndonjë lojtar cilësor në treg. Për këtë arsye, ai ka edhe një propozim konkret, që e bën të ditur për mediat: “Brenda mundësive që ka klubi, do të tentojmë të bëjmë ndonjë gjë. Të mos harrojmë se janë krijuar dy vende bosh tashmë në skuadër, nga largimet e futbollistit kosovar dhe atij kroat. Unë shpresoj që pagesat, të cilat kanë qenë të planifikuara për këto dy sportistë, të vihen në dispozicion të paktën të një sportisti, që mund të vinte te Vllaznia dhe do të plotësonte ndonjë boshllëk të evidentuar në dy fazët e para të kampionatit”.

    cungu

    Por a mund të jetë ky lojtar Xhevahir Sukaj, i cili pak kohë më pare, edhe publikisht, e la hapur mundësinë e rikthimit në Shkodër? Trajneri aktual i Vllaznisë mendon se një gjë e tillë ka pak shanse të ndodhë: “Të jem realist, Vllaznia nuk ka nevojë për përforcime vetëm në sulm, por në çdo repart të sajin. Sa i takon Sukajt, mundësitë financiare të Vllaznisë janë të pakta për të marrë lojtarë si ai. Por, mesa di unë, Partizani thotë se Sukaj është lojtar i tij, kështu që nuk e di se cila mund të jetë e vërteta, por nuk besoj se mjafton t’i bëj një telefonatë dhe ai do të vijë në Shkodër. Unë mund t’i bëj telefonatë çdo futbollisti në Shqipëri, apo në Europë, por mundësitë financiare nuk janë për ta marrë, sepse janë lojtarë me paga tepër të mëdha. Për të bërë hipokrizi është shumë e thjeshtë, por nuk më pëlqen një gjë të tillë. Brenda mundësive që ka klubi po tentojmë të bëjmë diçka, për të ofruar ndonjë lojtar, por shoh që ka pak alternativa në treg në këtë periudhë”.

    [interaction id=”5855b44b8780aab73878b24b”]


    Lexo postimet e tjera