NBA

Curry me paterica pas ndeshjes, rrezikon një “stop” të gjatë

Skuadra kampione e Golden State Warriors rrezikon të humbasë për një kohë të gjatë yllin e saj Stephen Curry. Ai pati një kontakt me E’Twaun Moore minutat e fundit gjatë ndeshjes së luajtur sot, ku Warriors fituan 125-115 ndaj New Orleans. Në momentin që ka vënë këmbën në parket Curry ka patur dhimbje dhe ka shkuar në dhomat e zhveshjes duke çaluar. Por mediat e kanë filmuar duke lënë stadiumin “Smoothie King Center” me paterica dhe me një qese akulli në kavilje, pasi nuk e vinte dot këmbën në tokë, ndërkohë që burime nga skuadra bëjnë me dije se dëmtimi mund të jetë i rëndë.

Është një dëmtim i keq, por ju garantoj se Steph do të rikthehet më i fortë se më parë. Nuk duhet të shpejtojmë për të dhënë përfundime, ai ka nevojë të ketë të gjithë kohën në dispozicion për të rikuperuar”, tha Klay Thompson, një nga yjet e skuadrës së Golden State. Kavilja është e fryrë edhe pse skaneri me rreze X nuk evidentoi gjë serioze, që mund ta çojë basketbollistin drejt operacionit. “Bëhet fjalë për ndrydhje të këmbës. Nesër do të bëj disa analiza më të detajuara, por është një situatë aspak e këndshme”, tha Curry pas ndeshjes.

Basketbollisti Stephen Curry

Nuk shqetësohem, pasi nuk është hera e parë që më ndodh, por për fat të keq do të humbas disa ndeshje. Kam besim te stafi mjekësor. Ishte një dëmtim idiot, pasi doja të rikuperoja një top dhe përfundova duke shkelur këmbën e rivalit dhe humba ekuilibrin”, u shpreh më tej Stephen Curry, që këtë sezon ka një mesatare prej 26,3 pikësh dhe 6,6 asist për ndeshje. Pavarësisht se basketbollisti thotë se nuk është dëmtim i rëndë, ende nuk dihet periudha që do të qëndrojë jashtë fushës, ndërkohë që Warriors humbasin një lider në fushë (vendin e tij pritet ta zërë Livingston).

Më shumë nga NBA