MMA

Cyborg pranon marrëveshjen për t’u përballur me Nunes në UFC-226

Cris Cyborg, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar sot se ka arritur marrëveshjen për t’u përballur me Amanda Nunes, të dyja sportiste kampione të botës në artet marciale mikse. Një duel që do të zhvillohet në eventin e UFC-226, që organizohet më 7 korrik, një përballje “vip” mes dy kampioneve braziliane.

Kam rënë dakord të përballem me Amanda Nunes më 7 korrik, në Las Vegas, si pjesë e eventit të UFC-226. Tani po pres që menaxheri im të punojë për të finalizuar këtë duel, për ta bërë atë zyrtar”, ka qenë komenti i Cyborg në faqen e saj zyrtare në “Instagram”. Ishte përfolur se ky event mund të zhvillohej në Brazil (në UFC-224), por duket se sportisteve u është lënë koha e mjaftueshme për të qenë gati për këtë duel të madh në kafaz. Sidomos për Nunes, që do të ndryshojë peshë.

Cris Cyborg do të mbrojë titullin kampion, ndërsa Nunes do të ndryshojë peshë, duke sfiduar patrioten e saj. Nunes është kampione e botës në peshën “bantamweight” (pesha gjel), ndërsa Cyborg është kampione e botës në peshën “featherweight” (pesha pupël). Një “derbi karioka” i çmendur në kafaz, me dy prej sportisteve më të mira aktualisht në botë, që pritet të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme të këtij sporti dhe ku spektakli do të jetë i garantuar.

Dana White, presidenti i arteve marciale mikse, pat deklaruar kohë më parë se po punonte për të finalizuar një përballje të madhe në UFC për vitin 2018, atë mes dy kampioneve braziliane: Amanda Nunes dhe Cris Cyborg Justino. Dhe duket se më në fund, pas shumë këmbënguljesh, ia ka dalë mbanë të bindë dy sportistet të duelojnë mes tyre.

Më shumë nga MMA