• Daja bën llogaritë, pret një Teutë “bunker” në Korçë

    Publikuar: 2 Mar 2:40

    Skënderbeu ia ka dalë që t’i bashkohet kreut pas përplasjes direkte mes dy rivalëve të tjerë për titull (Kukësi-Skënderbeu 0-0) dhe tani ndihet i qetë. Synimi është për të mos u tundur më nga të parët e vendit, gjë e cila kalon edhe përmes javës së 24-t të Superiores. Kalendari i vendos korçarët përballë Teutës, në stadiumin e qytetit juglindor, ndërkohë që durrsakët mbeten një “kockë e fortë” për kampionët në fuqi. Surprizat e ”djemve të detit” në Korçë nuk kanë munguar, ndaj kësaj gjëje nuk i shmanget dot Ilir Daja. Trajneri kryeqytetas po mundohet ta fokusojë stërvitjen te kundërshtari, i bindur se nuk do ta ketë të lehtë.

    Llogaritë e tij po bëhen për një Teutë bunker në mbrojtje. Kjo duket edhe nga pasqyrimi publik që klubi kuqebardhë i bën stërvitjes së sotme: “Momente nga seanca stërvitore, zhvilluar sot paradite tek anekset e stadiumit. Ekipi vijon përgatitjet për ndeshjen e së shtunës, ndaj Teutës. Trajneri Daja ka punuar sot me ekipin në aspektin e lojës efektive dhe të qarkullimit të topit në zona të ngushta, duke pasur parasysh se të gjithë kundërshtarët ndaj nesh, në këto javë, kanë preferuar të zhvillojnë lojë difensive. Grupi edhe sot ka qenë i plotë dhe në gjendje optimale.”


    Lexo postimet e tjera