Europa League

Daja dhe Shehi: “Me Partizan Beograd urojmë të luhet vetëm futboll, kemi shanset tona”

Nuk ka vonuar reagimi nga kampi korçar, pas shortit të fazës së grupeve të UEFA Europa League, me skuadrën e Skënderbeut që do të përballet në Grupin B me Dynamo Kyiv (Ukrainë), Young Boys (Zvicër), Partizan (Serbi). Kështu, për faqen zyrtare të klubit bardhekuq ka folur trajneri Ilir Daja dhe kapiteni, njëherësh portieri veteran i Skënderbeut, Orges Shehi. “Shortin e pritëm me qetësi, sepse e dinim se do të kishim rivalë të vështirë. Do të doja të kishim ndonjë ekip më me emër në grup, por gjithsesi ky është fati ynë dhe ne do të bëjmë më të mirën. Kemi shanset tona, nuk jemi ende në nivelin për të qenë pretendentë që të kalojmë grupin, por nuk kemi asgjë për të humbur. Partizani është i vështirë dhe do shpresoj të luhet vetëm futboll. Shpresoj shumë që të krijohet vetëm një atmosferë futbolli”, deklaroi Daja.

Ndërkohë, Shehi, do të duhet të rikthehet në Beograd, aty ku tre vite më parë përjetoi nga pankina ngjarjet e tmerrshme, kur përfaqësuesja e Shqipërisë luante ndaj asaj Serbe. “Gjithmonë ekipet janë të forta në short, jam i kënaqur nga ai i yni. Ne do të luajmë shanset tona me këdo që kemi përballë. Jam i bindur që nuk dalim pa pikë, por objektivat do t’i shohim ndeshje pas ndeshje. Ajo mbrëmje në Beograd ka qenë një ngjarje jo e këndshme. Por ajo ka kaluar tashmë, futbolli duhet të shërbejë për të bashkuar vendet dhe nuk është se shkojmë me atë kujtim të keq nga Beogradi”, deklaroi portieri dhe kapiteni i Skëndebeut, Orges Shehi.

Më shumë nga Europa League