Connect with us

Futboll

Daja: E marr unë përgjegjësinë, barazimi ishte rezultati i drejtë

Pas pesë fitoresh radhazi në kampionat, Skënderbeu është ndalur sot në shtëpi nga ajo që prej disa sezonesh është shndërruar në “macen e zezë” të kampionëve të Shqipërisë, skuadra e Teutës. Barazimi 1-1 i korçarëve ndaj Teutës ka ndalur gjithashtu edhe hovin e trajnerit Ilir Daja, i cili nuk mundi dot të barazojë rekordin e fitoreve të mbajtur nga paraardhësi i tij, Andrea Agostinelli, me 6 fitore, gjithsesi mbetet pa regjistruar ende asnjë humbje në drejtimin e Skënderbeut. Vetë trajneri Daja ka marrë përgjegjësitë e tij për rezultatin, ndonëse e konsideron barazimin si më të drejtin, duke kërkuar të shmangë që kjo ndalesë të kthehet në çështje.

Skënderbeu-Teuta 1-1. Shënues: James 61′ / Musta 21′.

“Ndeshjen e kishim përgatitur me koefiçent vështirësie sepse Teuta në këtë pjesë të sezonit kishte marrë 7 pikë. Kishim shanse për gol në fillim, më pas jemi dënuar me një gol, në të cilin nuk e shoqëruam portierin gjatë aksionit. Më tej, në lojën e bërë foli më shumë pjesa emocionale, se sulme të bëra sipas logjikës taktike. Kjo ka një anë të mirë sepse do të thotë që nuk e pranojmë humbjen, por duhet të sillemi ndryshe duke zbatuar lojën taktike. Për atë që u dha në fushë, barazimi ishte i drejtë. Në fund luajtëm me dy sulmues, por s’mund të kërkojmë të gjejmë golin vetëm me krosime nga zona të largëta. Nga ana tjetër, Teuta na gjente shpesh të papërgatitur në mbrojtje. Në përfundim të ndeshjes gjenden gabime dhe unë nuk e shmang përgjegjësinë time për rezultatin. Nuk duhet ta ulim kokën poshtë për një barazim. Mua më shqetëson vetëm disekuilibri i ekipit, pasi është detyrë e trajnerit të ruajë disiplinën taktike, por pas disa fitoresh do vinte dita që do ndaleshim”, deklaroi ndër të tjera, trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll