Connect with us

Kampionati Shqiptar

Daja: Gjyqtarë të huaj ndaj Kukësit, Superliga pa Tiranën do të zbehej…

Ka vuajtur në stol, ndaj ish-skuadrës së tij, por brenda vetes është ndier mirë me triumfin ndaj Mirel Josës. Ky i fundit e spostoi në stolin bardheblu, edhe pse situata ishte mjaft pozitive dhe komode. Kësisoji, përplasja mes dy trajnerëve ka lartësuar atë kuqebardhë, që uron, gjithsesi, që Tirana të mbijetojë. Sa për Skënderbeun, beson dhe shpreson ta shpallë kampion. Duke folur pas fitores 1-0 të së hënës, ish-trajneri kampion me Dinamon dhe Elbasanin, do të shprehej:

“Presioni tashmë është i madh, por duhet të jemi të qetë për ta lexuar ndeshjen. Nuk duhet të kishim shkuar në ato situata të vështira, por lodhja bëri të veten. Rezultati ishte vetëm fitorja, ndaj presioni ishte mjaft i madh, si për ne në pankinë, edhe për lojtarët në fushë. Ka qenë një shpërndarje jo e mirë e lojtarëve në fillim, që bëri të mos kishim forca në sulm. Kjo ka qenë ajo që nuk funksionoi në pjesën e parë. Tirana u spostua në gjysmëfushën e saj, pasi nuk donte të dilte pa pikë. Në zonën e golit, Salihi nuk kishte mbështetje. Edhe James ka luajtur shumë poshtë. Për penalltinë nuk mund të flas tani me siguri. Nuk e kam parë dhe nuk e di se çfarë të them.

Tirana ka disa lojtarë të mirë, që godasin me kundërsulm. Përveçse të shtonim dozën sulmuese, na duhej të kishim edhe kujdes mbrapa, që të mos prishnim ekuilibrat në ekip. Ndeshja fitohet edhe me penallti, ndaj them se e merituam. Ndeshja e ardhshme me Kukësin? Një finale titulli, pa diskutim. Klubi ka kërkuar gjyqtarë të huaj dhe mirë ka bërë, sepse mund ta menaxhojnë më qetë ndeshjen. Situata kritike e Tiranës? Po flasim për skuadrën më të titulluar në Shqipëri dhe, nëse nuk do të jetë pjesë e Superligës, ishalla jo, atëherë vlerat e kampionatit sigurisht që do të zbehen.”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar