Futboll

Daja: “Gripi na kushtëzoi, na ndihmoi fati”

Skuadra e Skënderbeut vijon rrugëtimin e sigurtë drejt titullit kampion, pasi falë fitores në supersfidën e javës së 21-të ndaj Partizanit, shkoi në kuotën e 49 pikëve, për të konfirmuar epërsinë me plot 13 pikë nga vendi i dytë, aty ku qëndron Flamurtari me 36 pikë. Një fitore, që më shumë se për meritë të korçarëve, u vendos nga autogoli i Gojkovic, që hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e skuadrës së Partizanit, për të dalë me pikë nga Korça. Vetë trajneri i bardhekuqëve, Ilir Daja ia atribuon fitoren fatit, teksa për të justifikuar ditën jo më të mirë të korçarëve, thekson ndikimin e gjëndjes virale që ka pushtuar ekipin.

“E kishim parashikuar se do të ishte një ndeshje e vështirë. Gjithçka u bë edhe më e vështirë nga fakti që shumë futbollistë të skuadrës prekën nga gjëndja virale, çka bëri që të vuanim sot shumë mungesa të rëndësishme, apo edhe ata që luajtën nuk ishin në maksimumin e tyre. Por fatmirësisht sot kishim fatin nga ana jonë dhe arritëm të siguronim një fitore shumë të rëndësishme. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Padyshim që në gjëndjen dhe paraqitjen e skuadrës ndikon edhe situata që po kalon klubi. Ndonëse ka akoma shumë ndeshje deri në përfundimin e sezonit, mund të them se tani jemi në rrugën e duhur drejt fitimit të titullit”, deklaroi ndër të tjera trajnri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll