Europa League

Daja: “Ishim superior, por na kushtëzoi dalja e Radas”

Skuadra e Skënderbeut ka marrë një barazim të rëndësishëm 0-0 ndaj Partizan Beograd, për të regjistruar pikën e dytë në këtë fazë të grupeve të UEFA Europa League dhe për të qenë matematikisht plotësisht në garë për një shans drejt fazës së ardhshme, por trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja, nuk shfaqi asnjë shenjë entuziazmi. Përkundrazi, kreu i pankinës bardhekuq u shpreh i mërzitur për detyrimin e detyrueshëm të Radas që në mesin e pjesës së parë, me rastet e shpërdoruara, por edhe me ato minutat e fundit të takimit që folën në favor të serbëve të Partizan Beograd.

“Sigurisht që na kushtëzoi ai zëvendësim që në mesin e pjesës së parë, pasi më pas duhet të ishim shumë të kontrolluar dhe të kujdesshëm me zëvendësimet. Po të ndërhyja më shpejt me dy zëvendësimet e tjera, atëherë mund të rrezikonim ta mbyllnim lojën me 10 veta. Na u desh të menaxhonim situatën njëlloj si ndaj Young Boys. Dalja e Radas na prishi planin, pasi kishim parashikuar që të ishte Radas shkatërruesi i lojës së tyre. Në pjesën më të madhe të lojës ishim superior ndaj një kundërshtarit të fortë. Na vjen keq që nuk shkuam te fitorja e parë. Ishalla nuk na ndjek ky fat që të zëvendësojmë lojtarët që në minutat e para të lojës. Në 10 minutat e fundit na ra disi loja”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Më shumë nga Europa League