Connect with us

Futboll

Daja: “Jemi më lart se Kukësi! Ky duel është bonus, por jo vendimtar”

Me plot 5 fitore dhe 2 barazime në 7 ndeshje që ka drejtuar skuadrën e Skënderbeut gjatë kësaj faze të tretë, për të grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip tjetër në Kategorinë Superiore gjatë kësaj periudhe, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja e ka mëse të justifikuar dhe legjitim vetëbesimin dhe mungesën e modestisë, për më tepër kur këtë e shfaq pikërisht në prag të supersfidës ndaj rivalit direkt për titullin kampion, Kukësit. Sipas trajnerit Daja, Kukësi meriton vlerësimin maksimal, por në të vërtetë, gjatë kësaj faze është ekipi kampion në fuqi ai që ka performancë më të lartë, referuar pikëve të grumbulluara. Daja vlerëson këtë duel si një bonus për arritjen e objektivit, porse saktëson se gjithsesi rezultati përfundimtar nuk do të jetë deçiziv e vendimtar për përcaktimin e fituesit të titullit kampion.

Skënderbeu-Kukësi do të luhet të premten në Korçë, në orën 18:00.

“Dihet që Kukësi nuk ka asnjë humbje dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, ndodhet në vendin e parë me meritë. Por besoj se edhe ne i kemi të gjitha mundësitë, nëse duam të luftojmë deri në fund për titullin duhet t’i fitojmë këto lloj sfidash, pasi një sukses në një përballje direkte është një bonus i madh. Përballjet me rivalët direktë kanë brenda edhe luftën për titull. Por mendoj se ndeshja ndaj Kukësit nuk do të vendosë gjithcka sepse mbeten edhe shumë pikë në lojë. Duke hequr dorë nga modestia edhe Skënderbeu që unë drejtoj nuk ka marë asnjë humbje në 2017-tën. Ne do të kemi respekt për kundërshtarin, por këtë respekt duhet ta kenë edhe ata për ne, sepse në 2017-tën kemi grumbulluar 2 pikë më shumë se Kukësi”, vlerëson paraprakisht kreu i pankinës së Skënderbeut, Ilir Daja, supersfidën që do të diskutohet të premten ndaj Kukësit.

Dueli Skënderbeu-Kukësi mund të përcaktojë liderin e këtij sezoni.

“Përvec mosmarrjes së rezultatit, nuk ka asgjë për tu shqetësuar, sepse në këto 7 takime ne kemi marrë 5 fitore dhe 2 barazime, e rëndësishme është që në këto përballje ne kemi qenë më lartë se kundërshtari. Nuk është aspak në filozofinë time të ndryshojmë stilin e lojës në varësi të kundërshtarit, sepse ne mendojmë që jemi më mirë se kundërshtari, e para duhet të imponojmë ne lojën tonë por, natyrshëm brenda strategjisë dhe kundërshtarit që ke përballë mund të ndodhë që të bësh edhe ndonjë ndryshim të vogël taktik në formacion. Predesku do të luajë që nga fillimi, por pjesën tjetër të  formacionit nuk mund ta zbuloj që sot, sepse mund të jetë në ndihmë edhe të kundërshtarit. Sa i përket Salihit, gjithçka mbetet ende në dyshim, pasi sulmuesi është stërvitur i veçuar për shkak të një dëmtim, ndaj gjithçka do të vendoset në minutat e fundit, në varësi të gjëndjes së tij fizike”, deklaroi ndër të tjera trajneri Daja, sikurse citon faqja zyrtare e klubit korçar.

Më shumë nga Futboll