Kampionati Shqiptar

Daja: Ku ka fusha futbolli, jam gati ta provoj veten për të fituar

Skënderbeu e mbylli sezonin me dy trofe kombëtarë. Pas titullit kampion, kuqebardhët bënë të tyren edhe Kupën e Shqipërisë. Me fitoren minimale ndaj Laçit, korçarët e bënë “sefte” për herë të parë me këtë kompeticion. Trajneri Ilir Daja, mes gëzimit dhe emocioneve, tha për mediat:

“Jam shumë i lumtur për faktin që e mbyllëm këtë sezon me triumfin në të dy trofetë. Kemi bërë një sezon shumë të gjatë dhe të lodhshëm, duke kaluar 4 ture dhe marrë pjesë në grupet e “Europa League”. Gjithashtu, jemi të kënaqur që sjellim për herë të parë këtë trofe në Korçë. E meritojmë që të gjithë, duke filluar që nga kapiteni Shehi dhe të gjithë lojtarët, tifozët e qyteti i Korçës.

Mendoj se mundi, djersa e përkushtimi janë shpërblyer më së miri me këtë triumf të dyfishtë. Te Skënderbeu ka një shpirt skuadre në nivelin maksimal. Për një trajner është shumë e rëndësishme që të drejtojë një skuadër me unitet të fortë dhe jam i bindur që të gjithë kemi kontribuar për të fituar këtë trofe, por edhe kampionatin.

Deri në kohën që do të jem në aktivitet, do të jem në kërkim për të gjetur të tjerë stimuj dhe për të realizuar të tjera arritje. Jam shumë i lumtur që punoj në kushte të tilla dhe uroj që të gjithë kolegët e mi të kenë të njëjtin fat dhe të punojnë mirë e të arrijnë suksese. Unë jam i lidhur me futbollin dhe gjithandej, ku ka fusha futbolli, jam gati të provoj veten për të fituar, pak rëndësi ka nëse jemi brenda apo jashtë Shqipërisë”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar