Kampionati Shqiptar

Daja merr frymë lirisht: Tani jemi 99% kampionë të Shqipërisë

Një ndeshje për t’u harruar, shumë fat, një gol “in extremis” me dy gjuajtje në portë, tri pikë më shumë në llogari dhe Skënderbeu është më pranë sigurimit të titullit kampion. Trajneri Ilir Daja ndihet i kënaqur me atë që mori ndaj Partizanit, pasi futbolli matet me pikë dhe jo me raste të humbura.

Pas fitores 1-0, trajneri kryeqytetas i korçarëve do të shprehej: “Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Por, mos harroni se kemi luajtur gati 50 ndeshje dhe së fundi 3 shumë të forta. Pra, lodhja është prezente. Sot na u shtuan edhe mungesat, që na detyruan të lëvizim lojtarët në pozicione jo natyrale, por na vjen mirë që e fituam edhe këtë përballje, pasi tani jemi 99% kampionë të Shqipërisë.

Nuk do ta ulim ritmin, gjithsesi, pasi duam të marrim edhe Kupën e Shqipërisë. Pa sulmues të mirëfilltë në startin e lojës? Sigurisht, Krasniqi, por edhe Gripshi e Sahiti, mund ta nisnin të 3 ndeshjen nga fillimi, për të mos bërë spostime lojtarësh, por duke parë se kishim të bënim me një sfidë të ngarkuar, nuk doja t’i vija në pozita të vështira psikologjike.

Ata janë lojtarë të rinj dhe duhet t’i integrojmë gradualisht. Polemikat? Na lini të gëzojmë për fitoren e sotme dhe t’i marrim gjërat me radhë pastaj. Jemi lodhur me këto paragjykime, pasi janë disa media, që aludojnë vazhdimisht. Sigurisht, unë nuk do t’i shkatërroj lojtarët për të mbyllur paragjykimet, pasi do t’iu jap mundësi edhe lojtarëve të rinj.

Tani dua që të festojmë faktin që jemi thuajse kampionë dhe të flasim në momentin e duhur. Ta mbyllim kampionatin në duelin me Kukësin? Unë do mundohem të integroj disa lojtarë të rinj, duke filluar që nga ajo ndeshje. Do të ishte mrekulli që ta mbyllnim këtë javë, por gjithsesi të shohim, pasi duhet të llogaris forcat, sepse na pret edhe finalja e Kupës”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar