Futboll

Daja në kërkim të fitores ndaj Teutës: “Sulmohemi se morëm kreun”

Në vigjilje të ndeshjes ndaj Teutës, e vlefshme për javën e 24, e planifikuar të zhvillohet të pasditen e të shtunës në Korçë, trajneri i skuadrës së Skënderbeut ishte sot përballë mediave në ritualin e konferencës për shtyp. Në takimin e tij me mediat, trajneri Daja nuk është ndalur vetëm te ndeshja e radhës ndaj Teutës, por gjithashtu në analizimin e të gjitha detjeve të skuadrës, sikurse dhe në atmosferën e përgjithshme të krijuar në Superligë, tashmë prej disa javësh, me kryefjalë, “alenacat”, “tolerimet” e “kompromiset”. E plotë, intervista e trajnerit Daja, sikurse është publikuar në faqen zyrtare të klubit, vijon më poshtë:

Skënderbeu-Teuta luhet të shtunën, ora 17:00, në stadiumin e qytetit të Korçës.

Daja, nesër kundër Teutës, si e shikoni kundërshtarin?

“Për vetë faktin se në këto pesë javë Teuta ka grumbulluar 10 pikë, duke regjistruar tre fitore një barazim dhe një humbje, tregon se ka marë mbi 70% të pikëve dhe mbetet një ekip i fortë, aq më tepër që gjithmonë kundër Skënderbeut ka nxjerrë probleme, qoftë me lojë edhe me rezultate. Për këtë arsye, ne jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë, por duke parë edhe ecurinë tonë, mendoj se duhet të vijojmë të rrisim performancën gjatë lojës dhe në marrjen e rezultatit. Nesër, pavarësisht koefiçentit të vështirësisë, ne do të kërkojmë vetëm fitoren”.

Sa e rëndësishme do të jetë kjo ndeshje për Skënderbeun?

“Unë e kam diskutuar edhe me lojtarët dhe duhet të fokusohemi vetëm te takimi i radhës, por Teuta ka një bonus, sepse është edhe kundërshtar i mundshëm në Kupë. Kjo do të thotë se një fitore e shoqëruar me lojë të bukur vendos autoritetin që ka kjo fanelë qoftë në kampionat, qoftë edhe në kupë”.

Sa shanse ka Skënderbeu të fitojë me Teutën?

“Nëse Skënderbeu do të luajë sikundër ka bërë këto ndeshjet e fundit, normalisht që shanset janë të mëdha. Por edhe për faktin që ne duhet të japim maksimumin në fushë dhe të tregohemi të kujdesshëm në të dyja fazat e lojës”.

Të gjithë ekipet që luajnë në Korçë përballë Skënderbeut, mbyllen në prapavijë. Si do të “çani” nesër Teutën?

“Natyrshëm që nuk mund të paragjykoj sesi do të luajë kundërshtari këtë takim, pasi është strategjia e tyre, por ne kemi punuar gjatë gjithë javës edhe nëse do të vendoset me mbrojtje të përforcuar në gjysëmfushën e vet. Nga ndeshja në ndeshje jemi në rritje dhe koalidimi i veprimeve sulmuese është goxha i mirë. Ne duhet të imponojmë lojën tonë në mënyrë që të shkojmë drejt fitores”.

Ka probleme Skenderbeu përpara këtë takimi?

“Përveç Micit që është mungesë e sigurtë, i gjithë grupi është në dispozicion. Problemi i vetëm, por pozitiv për mua është se kemi vishtirësi për të caktuar 18-shen e lojtarëve sepse kemi një grup që të gjithë e meritojnë të jenë pjesë e formacionit. Ekipi që fiton ndryshohet pak dhe sigurisht që pjesa më e madhe e ekipit është e njëjta”.

Akuza të mëdha po hidhen nga klubet drejt njëra-tjetrës gjatë këtyre ditëve. Si do ta komentonte Daja?

“Të them të drejtën, nëse do të vemë arsyen në plan të parë nuk i’a vlen që të komentoj të tilla diskutime. Nuk i’a vlen të merresh me çfarë thotë njëri apo tjetri. Ajo që është e dukshme është fakti se kur Skënderbeu ishte në vendin e tretë asnjë nuk merej me ne. Ndërsa tani që jemi në vendin e parë po sulmohemi nga të gjitha anët. Si duket disa i druhen ecurisë së Skenderbeut tani që jemi në vendin e parë me të njëjtat pikë si Kukësi. Nga ana tjetër dua të trajtoj pak, rastin e ndeshjes kundër Vllaznisë. Kushdo që ka një nivel intelekti normal, bën një konkluzion se nuk ka pse Vllaznia të toleronte kundër Skënderbeut. Së pari, Vllaznia nuk është në kupë. Klasifikimi që ka Vllaznia i jep shpresë që me rezultatet e mira të luftojë edhe për Europën, duke shkuar deri në vendin e katërt. Dhe nga ana tjetër një hap i gabuar i Vllaznisë e rezikon për qëndrimin në kategori që nuk do ia uroja një klubi si Vllaznia. Prandaj nuk ka pse do duhet të toleronte. Ndërsa më e rëndësishmja, unë personalisht nuk i marr për bazë këto opinione por krijoj një dominante negative pasi janë thënë edhe nga disa persona që janë në rolin e opinionistit, nëpër televizione. Prandaj unë do të thoja, që pas këtyre akuzave që janë bërë nga këta persona karshi Skënderbeut, sidomos për ndeshjen e Vllaznisë, do të isha dakord të hetohen, por paralelisht të hetoheshin edhe këta persona për shpifjet që mund të kenë bërë, qoftë në kanale televizive prestigjoze”.

I trembeni alenacave të mundëshme?

Ne trajtojmë ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu dhe harrojmë që para pak javësh ishte një aleancë shumë e hapur dhe si duket për të mbuluar atë teatër që u bë meremi me aludime që nuk kanë argument. Unë jam fokusuar vetëm tek ekipi im. Ne jemi një klub i mirëpaguar, me një grup futbollistësh që nuk kanë pushuar aspak dhe për gjithë këtë mund dhe investim, nuk përgëzohen për arritjet por merren me aludime që janë për të ardhur keq. Natyrshëm që nëse bëhen dy-tre ekipe kundër Skënderbeut koeficenit i vështirësisë rritet, por ne na tremb vetëm forma jonë”.

Rekordi i Agostinelit është me 6 fitore radhazi. Daja e barazon nesër?

Natyrshëm që unë nuk kam ardhur këtu që të bëj krahasim me kolegun paraardhës. Ajo që më kënaq është se çdo lojtar po jep maksimumin dhe kemi qënë shumë grup. Më e rëndësishme nuk është thyerja e rekordeve, por objektivi kryesor që është fitimi i titullit kampion”.

Do të vijojmë të shohim në fushë një Skënderbe me lojë të bukur ashtu siç e kemi parë së fundi?

Shpresoj që të gjithë lojtarët me punën e bërë ta kenë të qartë se kur një ekip ka mentalitet fituesi elementi kryesor që i duhur është vazhdimësia, prandaj shpresoj që të shohim një Skënderbe akoma më të mire”.

Ka krizë sulmuesish tek Skënderbeu, pasi janë shumë fitore me rezultatin 1-0?

Të them të drejtën në këto pesë javë kampionat, në Shkodër kam qënë më i qetë pasi ekipi po punonte mirë në sulm dhe nuk e lejuam kundërshtarin të vinte në portë me aksione dinamike. Besoj që edhe rezultati 1-0 është një rezultat pozitiv. Padyshim vlerat tona në vijën e sulmit janë të mëdha. Salihi është lojtari më i mirë i kampionatit dhe me rritjen e kondicionit fizik ai do të rikthehet bindshëm. Por edhe Xhejms dhe Latifi janë paraqitur mirë prandaj nuk kam si të bëj kritika”.

A e pranoni faktin se kur Latifi është mirë Skënderbeu fiton?

“Unë do të thoja se ne funksionojmë si grup, duke nisur që nga Shehi, që është një siguri për portën. Më pas me mënyrën sesi ekipi mbron dhe nuk e kam fjalën vetëm për repartin e mbrojtjes. Për të kaluar më pas në organizimin e lojës dhe lojtarët që vrapojnë shumë e për të dalë tek Latifi që është një nga lojtarët më të talentuar të kampionatit. Kur Latifi është në formën e tij më të mirë dhe punon mirë për grupin atëherë ekipi shkon më lehtë tek fitorja”.

Vështirësia e Skënderbeut në fazën e parë ka qënë me ekipet e mëdha. Mendoni se këtu do të bëni diferencën, pasi përpara janë ndeshjet ndaj Teitën, Kukësit apo Partizanit?

Unë i kam kërkuar lojtarëve të përqëndrohemi tek Teuta pasi kohë është e mjaftueshme që të përgatisim ndeshjet e tjera. Do të kemi kohë të flasim edhe për këto takime dhe çfarë mund të bëjmë më shumë. Nëse Skënderbeu është mirë nuk i trembet askujt”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll