Kampionati Shqiptar

Daja: Nuk jemi rastësisht në grupet e Ligës së Europës

Skënderbeu e ka kaluar natën në Selanik, ndërsa sot në mëngjes është nisur me avion drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev. Ky itinerar buron nga ndeshja e parë e fazës së grupeve të Ligës së Europës, që skuadra korçare do ta luajë nesër ndaj Dinamos së Kievit. Rivalë të tjerë në grupin B janë dhe Yong Boys e Partizan i Beogradit. Trajneri Ilir Daja do të bënte këtë prognozë: “Jemi koshientë që ekipet që kemi rivalë kanë koefiçient të lartë vështirësie. Ndeshja kundër ekipit në vazon e parë do të thotë se kualiteti dhe cilësia janë në një shkallë superiore. Por futbolli është sport subjektiv, ku shpresohet gjithmonë. Tashmë kemi një rrugëtim në fazën e grupeve dhe kjo do të thotë se nuk jemi rastësisht aty.

Do provojmë shanset tona, duke shpresuar të kemi edhe fatin me vete. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përballemi mirë në “Europa League”, por pse jo, të shohim ndeshje pas ndeshjeje se çfarë mund të bëjmë praktikisht. Teorikisht, ekipet e tjera janë të favorizuara, por praktikisht futbolli i pranon të gjitha. Një sulmues matet me gola dhe asiste. Pavarësisht se Soue nuk ka shënuar, ai është në rrugën e mbarë. Shpresojmë ta thyejë akullin përsa i përket golit. Ai është forcë e shtuar në ekip. Objektivi ynë primar është titulli kampion, ku do të jetë edhe fokusi i energjive tona psiko-fizike, por synojmë edhe të kemi paraqitje të mirë në Kupat e Europës”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar