• Daja “skanon” Skënderbeun: Ekip i fortë, të përmirësohemi në sulm!

    Publikuar: 10 Jan 9:51

    Një ditë pas miqësores inauguruese të tij si trajner i Skënderbeut, ndaj Bursasporit, që përfundoi në barazim pa gola, Ilir Daja ka folur për mikrofonin e “Supersport”, duke analizuar situatën që gjeti te kampionët, përgatitorja në Antalia të Turqisë, merkatoja dhe aspekte të tjera. Dje, me skuadrën korçare është bashkuar edhe sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi. Duke u testuar te Skënderbeu janë tre futbollistë të rinj, rumuni Cornel Petrescu si dhe dy 19-vjeçarë, kandezi Hanson Bokai dhe nigeriani Charles.

    “Jam i kënaqur me përgatitjet, duke filluar nga kushtet që janë optimal. Tani është kompletuar edhe grupi, me ardhjen e Salihit. Bëhet fjalë për një skuadër shumë të mire, që ka fituar 6 tituj kampioni radhazi. Por, natyrisht, kemi nevojë për përforcime, pasi kampionati është i gjatë dhe, duke patur parasysh që objektivi ynë është titulli kampion, duhet një grup i kompletuar, me nga 2 alternativa për çdo repart. Të mos harrojmë se kampionati ka edhe skualifikime, apo dëmtime. Miqësorja ndaj Bursasporit? E kemi trajtuar në dy plane. Skuadra luajti mirë, më pëlqeu paraqitja e lojtarëve në aspketin individual, kjo edhe për faktin se bashkëpunuan mirë si skuadër.

    Disa lojtarë i njoh, pasi i kam stërvitur edhe vetë, por i kam patur edhe kundërshtarë. Sidoqoftë, është tjetër gjë t’i stërvitësh vetë. Në miqësoren e parë turke kisha mundësinë për t’i parë në veprim lojtarët dhe për të pasur njohje më të detajuara për secilin. Këtu kemi për të luajtur edhe dy miqësore, ndaj dy skuadrave azere, Sumqaiyt dhe Qarabagut. Objektivi im është që skuadra të përmirësohet në sulm. Do të mundohem të zhvillojmë një futboll më sulmues, por për ta bërë diçka të tillë, lojtarët duhet të zbatojnë me përpikmëri detyrat ofensive dhe difensive. Shpresojmë që me rifilimin e kampionatit skuadra ta gjejë me më tepër lehtësi golin. Po punojmë veçanërisht në këtë aspekt dhe mendoj se do t’ia arrijmë qëllimit.”

    [interaction id=”5838398fd0519538717531a6″]


    Lexo postimet e tjera