Futboll

Daja: “S’na vjen mirë, gabimi nuk duhej të ndodhte”

I dëshpëruar është shfaqur trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në përfundim të supersfidës ndaj Kukësit, pas barazimit 1-1, dhe fitores së hequr nga duart e ekipit korçar vetëm pak sekonda para përfundimt të ndeshjes. Dëshpërim që më shumë se për barazimin, përcillet nga trajneri Daja, për mënyrën se si u pësua ai gol, nga një episod shpërqëndrimi dhe në vendosjen e lojtarëve. Ndonëse nuk proteston, Daja nuk fsheh pretendimet e tij për një penallti të mohuar në dëm të Skënderbeut.

“Natyrshëm që nuk na vjen mirë sepse edhe po të shohim se si është pësuar goli i barazimit, ishte një shpërqëndrim, duke nisur që nga krosimi i topit. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë, sepse futbolli fitohet edhe me situata të tilla. Mendoj se e nisëm lojën shumë mirë. Bëmë disa ndryshime, sidomos me Predeskun, duke patur shumë pritshmëri. Kërkuam që me fillimin e pjesës së dytë të ushtronim presion në sulm. Kur një kundërshtar luan me pasime të gjata duhet që mbrojtësit tanë të ruajnë qetësinë”, u shpreh tekniku Daja.

Skënderbeu-Kukësi 1-1.

“Nuk më takon mua të flas për pretendimet për penallti, për vetë pozicionin tim. Ai ndërhyn te këmba e Latifit, ndërkohë që futbollisti ynë ka topin përpara. Ai nuk interesohet fare për topin. Një pikë e fortë të cilës i kishim mëshuar shumë ishte administrimi i topit. Kjo gjë nuk u realizua për shkak se kundërshtari luajti me topa të gjatë. Nuk është fakti që futbollistët e konsideruan si dramë se humbëm shansin e titullit, por për faktin që ai barazim erdhi pak sekonda para përfundimit dhe në një moment kur Kukësi, ndonëse kishte fituar disi më shumë terren, sërish nuk ishte në forcën për të na kërcënuar”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll