Europa League

Daja: Do të luajmë shanset tona ndaj Dinamos së Kievit

Në konferencën për shtyp, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ukrainas. Mes të tjerash ai ka thënë se të tre kundërshtarët në Grupin B janë më të fortë se ekipi që drejton, por ka garantuar se Skënderbeu do të bëjë çdo përpjekje për t’u përballur denjësisht me ta: “Kjo është ecuria jonë më e mirë në një kompeticion europian. Natyrisht, Dinamo është favorite, por edhe ekipet e tjera, që janë në grup me ne, janë gjithashtu të forta. Sidoqoftë, do të përpiqemi të marrim maksimumin, sepse kemi përvojë europiane tashmë”, – theksoi mes të tjerash trajneri Daja.

A ju kujtohet ndeshja miqësore me Dinamon gjatë fazës përgatitore. Mund të bëni një krahasim me Dinamon e tanishme?
Nuk e kam trajnuar unë Skënderbeun në atë kohë. Kapiteni ynë mund t’i përgjigjet pyetjes suaj, por mendoj se ndeshjet miqësore nuk mund të krahasohen me ato zyrtare, që kanë një nivel shumë më të lartë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për ndeshje të grupeve të “Europa League”.

A keni mungesa për shkak dëmtimesh apo kualifikimesh?
Mungon Nimaga, i cili është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen me Dinamon e Zagrebit. Për këtë ndeshje mund të kemi edhe ndonjë mungesë tjetër, por nuk do të doja t’i zbuloja të gjitha “kartat” e lojës sonë.

Këtë sezon ekipi juaj ka luajtur tashmë 10 ndeshje, 8 prej të cilave në “Europa League”. A mund të konsiderohet ky një faktor pozitiv për ju?
Mendoj se jemi tani në një moment të mirë të lojërave, në sajë të ndeshjeve në “Europa League” dhe në Kupën e Shqipërisë e kampionat. Nuk kemi pasur mundësinë të pushojmë dhe tani jemi në gjendje të mirë.

 

Ekipi juaj ka befasuar, duke eliminuar Dinamon e Zagrebit. Çfarë rezultati prisni nesër? Çfarë detyrash i keni dhënë ekipit?
Ndeshjet në grupet e “Europa League” janë shumë më të komplikuara dhe të vështira se ato të kampionatit. Të gjitha ekipet që marrin pjesë në këtë fazë janë të forta. Do të jetë e vështirë, por do të bëjmë çdo përpjekje për të luajtur denjësisht me çdo kundërshtar. Këtë do të bëjmë edhe me Dinamon.

Më shumë nga Europa League