• Daja: Titullin e kemi në duart tona, Skënderbeu nuk ka alibi!

    Publikuar: 9 May 9:08

    Skënderbeu ka fituar në frymën e fundit ndaj Vllaznisë, një ndeshje që ka pasur fund dramatik. Ka pasur edhe përfolje për mënyrën si erdhi përmbysja, teksa “topi” i akuzave ka kaluar në fushën e kuqebluve të Armando Cungut. E megjithatë, kampionët nuk duan t’ua vënë vëshin gjërave të tilla, ata synojnë të vijojnë me këtë ritëm, duke besuar e shpresuar se titulli kampion është plotësisht i arritshëm. Trajneri Ilir Daja e analizon kështu situatën e krijuar tashmë për mikrofonin e “Supersport”:

    ”Ndaj Vllaznisë, me të vërtetë ishte një natë e çmendur, po aq e çmendur edhe e bukur se të marrësh atë fitore në atë lloj mënyre, kur shkodranët ishin në avantazh deri në minutën e 91-të. Ne arritëm të shënonin dy gola për të marrë në fund një fitore vërtetë të çmendur. Është e vërtetë që gabuam në atë sfidë, por nuk duhet të harrojmë që kishim shumë mungesa për shkak skualifikimesh dhe dëmtimesh, ndërsa futbollistë të tjerë si Osmani apo Muzaka nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë. Tani po mendojmë për ndeshjen e radhës, në Durrës. Në fakt, në fazën e 4-t nuk kemi patur kundërshtarë të lehtë, përveç Korabit. Çdo ekip ka objektivat e vet. Teuta, edhe pse e kemi eliminuar në Kupë me dy fitore, na ka marrë dy barazime në kampionat.

    Ne e respekojmë skuadrën e Maganit dhe nuk ka vend për nënvlerësim në këtë sfidë, pasi tanimë nuk na lejohet asnjë gabim. I gëzohem rikthimit të James, sepse ai është shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm për Skënderbeun, teksa përshtatet në disa role. Shto këtu eksperiencën e Orelesit dhe faktin që Osmani do të jetë në një gjendje më të mirë fizike, mendoj se rikthimi i tyre është i rëndësishëm. Kemi më shumë alternativa dhe mund ta menaxhojmë më mirë sfidën në repartin e mesfushës. Tashmë e kemi në dorë fatin tonë, sepse nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet do të shpallemi kampionë. Nëse nuk e fitojmë në fund kampionatin, shpresoj që kjo të mos ndodhë, por nuk mund të kemi alibi dhe të themi që ne bëmë detyrën, por nuk kishim fat”.


    Lexo postimet e tjera