Kampionati Shqiptar

Dalipi e pranon: Titulli duket larg, gjithçka për të fituar Kupën e Shqipërisë

Partizani do të presë nesër Flamurtarin, në çerekfinalen e kthimit. Të parën e ka humbur 1-0 në Vlorë, ndaj kërkohet përmbysje e këtij disavantazhi, që do të thotë një tjetër mundësi për trofe dhe shkuarje në Kupat e Europës. Zv.trajneri Klevis Dalipi ka dalë para gazetarëve, në një konferencë për shtyp, dhe ka folur për ballafaqimin me kuqezinjtë vlonjatë. Ndër të tjera, ai ka nënvizuar: “Jemi përgatitur mirë, por ajo që duhet të thosha përpara se të flisja për vështirësitë e ndeshjes, u bëj thirrje arbitrave të jenë pak më të vëmendshëm në këto gabimet humane, që kanë bërë këto javë. Theksoj golin e rregullt të Prognit në Vlorë dhe ndeshja e kthimit do të ishte shumë më e thjeshtë. E përsëris, nuk jemi për të kërkuar ndihmë, por duke pasur parasysh që diskutohet kualifikimi, këto gabimet e vogla “humane” bëjnë diferencën. Shpresoj të mos përsëriten më. Sigurisht që në një ndeshje të tillë, vështirësitë shtohen, duke parë edhe shirat, edhe disavantazhin.

Ne do të jemi të kujdesshëm gjatë 90 minutave, të neutralizojmë sulmet e Flamurtarit dhe të shpresojm që me një lojë të mirë, duke dhënë shpirtin në fushë, të shënojmë një gol sa më shpejt të jetë e mundur. Por, them që nuk duhet ta humbim durimin. Nëse pësojmë, do ta kemi akoma më të vështirë. Kam besim që skuadra do të shfaqet më së miri. Besoj se me Flamurtarin do të shënojmë. Situata e Çanit? Në çdo konferencë përmendet ai, por jua kam thënë se është në një program stërvitor, të cilin do ta zbatojë me përpikmëri. Nuk duam të bëjmë gabime. E gjithë skuadra, edhe stafi mjekësor është në dispozicion jo vetëm për Çanin, por edhe për Fejzullahun, që është rikthyer me skuadrën. Kur Çani të jetë gati, do të jetë në organikën e skuadrës. E përforcoj, Çani do të kthehet në skuadër vetëm kur të jetë gati plotësisht. Shkuarja në Europë? Sigurisht që matematikisht nuk ka mbaruar gjithçka, por titulli kampion është larg. Ne do të synojmë Kupën e Shqipërisë.

Nesër do të futemi në fushë për t’u kualifikuar. Mund ta fitojmë këtë trofe, nëse nuk arrijmë titullin.Progni dhe Bardhi? Ata kanë luajtur shumë mirë deri tani dhe këtë gjë do ta bëjnë edhe nesër. Ndaj Kukësit do të mungojnë. Sidoqoftë, ne mendojmë vetëm te ndeshja e nesërme ndaj Flamurtarit. Duam të fitojmë dhe të kualifikohemi. E dimë vështirësinë e kësaj ndeshjeje. Na duhet një kthim rezultati, loja është e hapur dhe ne do të tentojmë. Më pas, do të mendojmë për Kukësin. Situiata me tifozët? Mesa di, klubi është në bisedim e sipër dhe po e zgjidh këtë situatë. Edhe ne si staf, apo edhe vetë lojtarët, e ndiejmë mungesën e tyre. Ai është lojtari i 12-të i yni dhe na jep kurajë gjatë gjithë ndeshjes. I bëj thirrje të vijnë në numër të lartë, siç e kanë traditë, dhe të na mbështesin në këtë ndeshje delikate”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar