Kampionati Shqiptar

Dalipi: Në Shkodër, vetëm për fitore. Suksesi im është edhe i Starovës…

Klevis Dalipi, trajneri i Partizanit, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, në prag të transfertës shkodrane, ku ka folur për situatën te të tijtë dhe objektivin e ditës së nesërme, në “Loro Boriçi”: “Jemi të vetëdijshëm që Vllaznia ka treguar rritje në lojë dhe rezultate, në ndeshjet e fundit, për më tepër që ka afruar në gjirin e saj një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit, Xhevahir Sukaj. Ne jemi përgatitur më së miri, e dimë shkallën e vështirësisë që paraqet kjo ndeshje, e cila brenda 90 minutave do të rezervojë shumë episode. Ne shpresojmë që këto episode të jenë në krahun tonë dhe të dalim në lojën që kërkojmë, duke ditur që edhe terreni i stadiumit “Loro Boriçi” ta lejon diçka të tillë. Vllaznia është një skuadër që lufton për mbijetesë dhe pikët janë jetike për të, por ne kemi objektivin tonë dhe shkojmë në Shkodër për fitore”.

Fitorja në Shkodër, a do të ishte një dhuratë për ditëlindjen tuaj?
Nuk e kisha parashikuar kurrë që dy ditë para ditëlindjes do të emërohesha në drejtimin e skuadrës. Sigurisht që do të ishte kënaqësi për mua, por ajo që dëshiroj më tepër në këtë moment është të bëjë më të mirën skuadra, të eci përpara dhe të arrijë objektivat.

Do të gjeni përballë një prej mbrojtjeve më të mira të momentit. Sa e vështirë do të jetë për t’i shënuar gol Vllaznisë?
Statistikat e konfirmojnë këtë fakt, por ne vijmë nga një ndeshje shumë e mirë me Luftëtarin, që e mundëm pastër, edhe pse kishte plot 11 javë pa humbje. Shpresoj që edhe në ballafaqimin e radhës lojtarët të shprehen më së miri dhe të dhurojnë të njëjtën paraqitje si ndaj Luftëtarit . E përsëris, kam shumë besim te lojtarët e mi, duke ditur që kam kohë që punoj me këtë grup. Shpresoj që reparti ynë i sulmit të bëjë atë që di të bëjë më mirë dhe të arrijmë rezultatin e dëshiruar.

A do të ketë ndryshime në formacion?
Nuk besoj se skuadra do të ketë ndryshime, do të zbresë në fushë ai formacion që triumfoi ndaj Luftëtarit . Ne kemi në përbërje një grup shumë të mirë lojtarësh dhe për këtë fakt kam vështirësi për të përzgjedhur 18 lojtarët që do të grumbulloj për takimin ndaj Vllaznisë. Skuadra nuk do të pësoj ndryshime, por e rëndësishme është të funksionojë dyshja e mesfushës Batha-Mala, që të dy së bashku bënë një ndeshje të mrekullueshme me Luftëtarin.

Kur parashikohet të ketë minuta të plota Fejzullahi?
Fejzullahi vijon të jetë në fazën e riaftësimit dhe ende nuk është 100% i gatshëm për të përballuar një ndeshje të vërtetë. Mendojmë që në vazhdimësi të aktivizohet te Partizani B, në mënyrë që të marrë minuta, për të qenë më pas gati për ekipin e parë.

Europa është vetëm një pikë larg, a besoni se ky objektiv është i arritshëm për Partizanin?
Unë prandaj e pranova ftesën e presidentit Demi, pasi e di se skuadra ka shumë për të dhënë dhe jemi shumë afër këtij objektivi. Tashmë çdo gjë mbetet në dorën tone. Ndeshjet janë të vështira, por duhet ti marrim ato një nga një, pasi tri pikët janë njësoj me të gjitha ekipet. Duhet të japim maksimumin deri në fund, të arrijmë këtë objektiv, sepse në njëfarë mënyre shpëton sezonin tonë.

Në krahasim me Starovën, çfarë do të ndryshojë Dalipi te Partizani në aspektin e përgatitjes së skuadrës?
Gjatë kohës që kemi punuar së bashku kemi patur mendime të njëjta me Starovën. Sigurisht që unë kam mendimet e mia, por diçka e tillë nuk mund të realizohet sot për nesër, duhet pak kohë. Në javët në vazhdim do të shikoni një skuadër që do të reagojë ndryshe, do të jetë më shumë sulmuese. Për trajnerin Starova do të pohoja se është kënaqësi për të, që në krye të skuadrës ka lënë një person, me të cilin ka punuar për disa vite bashkë dhe ndryshimi është bërë brenda familjes përsëri. Sigurisht që edhe idetë e Starovës, që unë i kam marrë, do t’i vë në praktikë, sepse suksesi, nëse është i imi, patjetër do të jetë edhe i Starovës, pasi kemi punuar për shumë vite bashkë.

Në Shkodër do të gjeni edhe dy ish lojtarët tuaj Sukajn dhe Malotën…
Sigurisht, shkuarja e tyre e ka përforcuar Vllazninë në repartet ku ata luajnë, por ne kemi besim dhe do të shkojmë në Shkodër për të fituar.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar