Kampionati Shqiptar

Dalipi nuk dorëzohet: Do ta çoj Partizanin në Europë

Partizani luajti 45 minuta të para të shkëlqyeshme, u “fut në ujë” në pjesën e dytë dhe u tradhëtua nga fati në minutën e fundit të ndeshjes ndaj Skënderbeut. Disfata 1-0 në “Selman Stermasi” e bën edhe më të vështirë zonën europiane për të kuqtë, ndërsa afron titullin për juglindorët.

Dy humbje radhazi të “demave” dhe trajneri Klevis Dalipi ndien presionin nga të gjitha anët. Pas ndeshjes, ai tha: “Ndeshjen mund ta ndaj në dy pjesë. 45-minutëshi i parë ishte mjaft i mirë dhe lojtarët ishin të qartë në lidhje me atë që kërkoja. E mbajtëm skuadrën shumë lart dhe e mbyllëm Skënderbeun në gjysmëfushën e tij, por nuk arritëm të finalizojmë rastet e krijuara.

Na penalizoi edhe ai ndërrim i detyruar, që në fillim, pasi kisha më pak mundësi për të freskuar skuadrën. Në pjesën e dytë luajtëm mirë, por nuk kishim freski fizike. Gjithsesi, mendoj se nuk merituam të humbnim, pasi Skënderbeu fitoi me fat, me një rast, të cilin e kemi punuar shumë në stërvitje, por nuk e evituam dot.

Gara për Europën? Nuk besoj se do të ndikojë shumë kjo humbje, pasi një pikë nuk do të na jepte ndonjë avantazh të madh. Ne kërkuam ta fitojmë, pasi donim 3 pikët, por për fat të keq nuk ia dolëm dhe do të rikuperojmë në ndeshjet e ardhshme.

Një trajner kroat në tribunë? Unë nuk dua të merrem me histori të tilla, pasi klubi edhe mund ta ketë një plan B, por besoj në ato që më janë thënë nga drejtuesit. Gjithsesi, edhe nëse kam një rival, kjo më motivon më shumë për të dhënë më të mirën. Eshtë shumë e rëndësishme që unë të bëj më të mirën te Partizani, për ta çuar në Europë.

Kam shumë plane në kokë dhe do të doja të vijoja edhe sezonin e ardhshëm te Partizani, por një largim i mundshëm do të më shkaktonte keqardhje. Unë kam punuar me besnikëri me çdo trajner, por vazhdimisht kam pasur ambiciet e mia dhe kam marrë përgjegjësitë e mia.

Do të më vinte keq nëse nuk do të më jepej besimi, por do ta vijoj karrierën time si trajner, jo më si ndihmës. Pjesa e dytë? Kisha planifikuar të hidhja Bardhin, për të shfrytëzuar shpejtësinë dhe freskinë e tij, në momentet kur Skënderbeu të tërhiqej dhe të lodhej, por për fat të keq, dëmtimi i Cardozos na prishi planet. Një zëvendësim më pak në pjesën e dytë nuk më dha mundësinë ta freskoja aq sa duhej skuadrën”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar