Connect with us

Futboll

Dalipi: “I patëm shanset tona, por humbëm qetësinë”

Zëvendës jo vetëm në pankinë, por edhe përpara kamerave, Klevis Dalipi ka zëvendësuar mbrëmjen e të enjtes, trajnerin e Partizanit, Sulejman Starova, pas barazimit fatal të të kuqve 0-0 në shtëpi përballë Laçit, për tu larguar kështu nga kreu i klasifikimit dhe në garën për titullin kampion. Sipas zëvendëstrajnerit të të kuqve, ekipi i pati sot rastet dhe shanset, por sa për humbje të qetësisë, po aq edhe për mungesë të fatit nuk ka mundur dot të gjejë fitoren. Sipas Dalipit, Partizanit i mbetet të fitojë tre ndeshjet e fundit dhe të shpresojë te gabimi i rivalëve.

Partizani-Laçi 0-0.

“Janë edhe 9 pikë në lojë, ndonëse e dimë që tashmë është më e vështirë. I patëm rastet tona, por tensioni bën të vetën dhe doli si doli. E përsëris që i kishim shanset tona dhe e dinim që nuk do ta kishim të lehtë përballë Laçit që ka problemet e veta dhe kishte nevojë për pikë. Më pas futbollistët humbën disi qetësinë, por rastet nuk munguan, sikurse ishte edhe shtylla e fundit. E rëndësishme është të fitojmë tre ndeshjet e mbetura, nuk mund të flasim për shanset tani. Vërtetë do të presim dhe shpresojmë që rivalët të lënë pikë, por më parë duhet të marrim maksimumin tonë. Pjesën e parë patëm më shumë raste, por është shumë e vështirë, sidomos atëherë kur të duhet patjetër fitorja. Ne i përdorëm të gjitha kartat tona në sulm, por ishim edhe pa fat. Duket si një tabllo e njëjtë me atë të një sezoni më parë. Ne do të bëjmë maksimumin. Na ka munguar shumë fati, njëlloj si vjet ndaj Bylis”, deklaroi Klevis Dalipi, zëvendëstrajner i Partizanit.

Më shumë nga Futboll