UFC

Dana White planifikon sfidën e të rikthyerve, Brock Lesnar kundër Jon Jones

Dana White, presidenti i UFC-së, beson se pjesa e dytë e 2018-ës do të jetë plot me surpriza, me evente e sfida të mëdha në artet marciale mikse, duke konfirmuar gjithashtu se mjaft personazhe me emër të këtij sporti do të ngjiten në kafaz. Një prej ikonave të këtij sporti që pritet të rikthehet në kafaz është Brock Lesnar: “Kontrata e tij me WWE skadon në fund të verës dhe jam i bindur se ai ka dëshirë të duelojë sërish në kafaz. Ne do t’i gjejmë një rivalë dhe do t’i organizojmë një sfidë fantastike”, u shpreh Dana White.

Si rival i mundshëm i Lesnar është përfolur Francis Ngannou. “Sigurisht që ai është një opsion, por ka edhe mjaft sportistë të tjerë që mund të duelojnë ndaj Brock. Një prej tyre është Jon Jones, të cilin e ka kërkuar edhe vetë Lesnar. Ndaj, mund të kemi një përballje mes Lesnar dhe Jones në kafaz, dy sportistë që rikthehen”, tha numri 1 i arteve marciale mikse. Jon Jones, ish-kampion bote në UFC, do të rikthehet në kafaz pas pezullimit për përdorim dopingu.

Edhe vetë Jon Jones e ka pranuar këtë përballje, duke thënë: “Brock, nëse je gati unë të pres në kafaz. Përballë do të kesh një djalë që peshon më pak se ty, por që do të mposhtë”, tha Jones. “Të dy e duan këtë sfidë dhe unë mezi po pres ta organizoj atë. Do të jetë një sfidë e bukur, e madhe, argëtuese për të gjithë”, tha Dana White.

Më shumë nga UFC