UFC

Dana White zyrtarizon duelin e madh, e vetmja gjë që nuk dihet është data

Conor McGregor ndaj Khabib Nurmagomedov është sfida që të gjithë e dëshirojnë dhe presidenti i UFC-së, Dana White, është gati të kënaqë fansat e arteve marciale mikse. Numri 1 i UFC-së ka konfirmuar pas konferencës pr shtyp në eventin e UFC-225 se fansat do të kenë atë që dëshirojnë, një përballje të madhe mes kampionit aktual të peshës së lehtë, rusit Khabib Nurmagomedov dhe ish-kampionit, irlandezit Conor McGregor.

Për t’u përcaktuar mbetet data dhe vendi se ku do të zhvillohet kjo sfidë, e cila pritet të mësohet pas 14 qershorit, ditë kur irlandezi do të dalë para gjykatës së Nju Jorkut, i akuzuar për agresion pas sulmeve që kreu para eventit të UFC-223, kur gjuajti me mjete të forta autobusin ku ishin sportistët. Në atë event Nurmagomedov mori titullin kampion që i përkiste McGregor, por që nuk e mbrojti asnjëherë në kafaz.

Kjo përballje mes Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor konsiderohet si dueli i madh i arteve marciale mikse për vitin 2018, që pritet të zhvillohet në gjysmën e dytë të këtij viti. Dana White u shpreh se është duke punuar për këtë event të madh të peshës së lehtë, por UFC është në pritje që irlandezi të zgjidhë problemet me drejtësinë.  Të dy sportistët janë shprehur se janë gati për këtë përballje, që pritet të jetë spektakolare dhe fitimprurëse.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga UFC